Kjo godinë e frikshme te Shkëmbi i Kavajës, plot 28 kate, duhet të shembet.
Vendimin e ka marrë instituti i ndërtimit që ka konstatuar shumë problem për këtë pallat të vendosur direkt buzë detit.
Por biznesmeni pronar Enver Shala, është shpallur dje në kërkim nga policia e shtetit pasi ka kërcënuar drejtorin e institutit të ndërtimit Agron Hysenlliu, pas raportit që ky institut ka përpiluar për institucionet.
Policia e shtetit konfirmon zyrtarisht shpalljen në kërkim të biznesmenit, ndërkohë nuk dihet se kur do të merret vendimi për shembjen e kësaj godine.
Rritja e kateve të pallatit që nga 24 kate, në rërë, u shtua edhe me katër kate të tjerë, duke shkuar plot 28 të tillë, është parë me dyshim nga të gjithë, edhe pse asnjëherë institucionet nuk kishin marrë vendim për të.
Pak vite më parë, katër katet shtesë që po ndërtoheshin u shembën, duke shkaktuar panic te banorët përreth. Por pronari e gjeti zgjidhjen: e mbuloi anësh, për të mos parë njeri se ç’po ndodhte. Tani që ka dalë në dritë, struktura, sipas Institutit të Ndërtimit, nuk është e sigurt për të qëndruar. Ndaj duhet prishur.