Hapësire reklamuese

Politikë

"Kryesia të nxjerrë grup negociatorësh", debatet e plota në mbledhjen e PD: Deputetët e Berishës na kanë shantazhuar, si duan të bashkohemi?!

Shkruar nga Newsbomb
"Kryesia të nxjerrë grup negociatorësh", debatet e

Kryesia e Partisë Demokratike ka mbajtur dje mbledhjen e parë pas dorëheqjes së kryetarit Lulzim Basha, shkruan newsbomb.al. Nën drejtimin e kryetarit të komanduar Enkelejd Alibeaj, për disa orë demokratët kanë diskutuar mes tyre për gjendjen ku ndodhen dhe mundësitë e bashkimit me grupine  Berishës.

Të gjithë kanë kërkuar që të ndërmerren hapa konkretë për bashkimine  Partisë, por njëherësh kanë kërkuar dhe përjashtimin e Sali Berishës, sepse sipas tyre Lulzim Basha e bëri një hap pas. Dhurata Çupi dhe Agron Kapllanaj janë shprehur se deputetët e rreshtuar krah ish-kryeministrit i kanë linçuar dhe shantazhuar deputetët që qëndruan me Bashën.

"Nga ana tjetër, s'jam fare dakord me gjuhen e vrazhdë të përdorur nga disa deputetë ditët e fundit në media. Jam dakord që zoti Berisha ka mbështetjen e strukturave të PD në Shumicë. Por deputetët e tjerë janë pa asnjë kredit më shumë se deputetët e PD. Përse dalin dhe linçojnë kolegët e tyre që nesër duan të jenë në grup me ta", është shprehur Çupi, sipas zbardhjes së Panoramës.

Edhe Sekretari i PD Gazment Bardhi kërkoi që të dyja palët të bashkohen, por insitoi në largimin e Berishës.

"Neve na kërkuan dhe ne dhamë dorëheqjen dhe ata nuk kanë asnjë lloj dorëheqjeje. Unë i qëndroj vendimit të 9 shtatorit. S'mund të pranojmë që t'ia kthejmë PD-në "Non grata-s". Ne duhet të dalim nga kjo Kryesi me një mesazh të fortë bashkimi. Do t'i shtrimë dorën e bashkimit palës tjetër", ka thënë Bardhi.

Debatet e plota në mbledhjen e Kryesisë së PD:

Enkelejd Alibeaj: Pak më herët se të vinim në këtë salle, kemi zhvilluar një mbledhje me sekretarët funksionale të partisë, ku sigurisht temë kryesore e debatit ka qenë situata që po kalon partia. Ndërkohë, meqë nesër kemi seancë parlamentare, ju njoftoj se kemi paraqitur një mocion për debat. Është një nga elementet e luftës opozitare brenda institucioneve. Një nga drejtimet ku duhet të ecë partia, është lufta opozitare në Parlament, e sinqertë dhe e plotë.

E dyta, por që sigurisht ka një rëndësi të veçantë, është situata në të cilën ne ndodhemi si familje politike. Për qëndrimin e mëtejshëm. Pesha për secilin është e madhe. Por duhet që të gjithë bashkë të mendojmë se cilat duhet të jenë hapat, të matur, të sigurt.

Helidon Bushati: Jemi këtu për të mirën e Partisë Demokratike. Ne që jemi këtu dhe ata që nuk janë, por shpresoj të jenë. Bashkimi është kryefjala e retorikës dhe e vlerësimit tone politik. Bashkimi do të duhet të jetë kryefjala jonë, jo vetëm në retorikë, por edhe me akte konkrete. Partia Demokratike e ka jetike rikthimin në një debat konstruktiv, në një bashkëpunim të të gjitha flukseve.

Si sinjal të parë unë propozoj dhe do të dëshiroja qe t'i kthehet normaliteti godinës, ta zhveshim nga fortifikimi edhe si sinjal të parë te rikthimit në normalitet. Vetëm të bashkuar do të mund të jemi të fortë dhe garues. Nuk kemi asnjë minutë kohë për të humbur, zgjedhjet janë shumë afër. Prandaj, të gjithë ne do duhet të japim kontribut për bashkimin e kësaj force politike, do të duhet të tregojmë pjekuri.

Xhesti i parë do të ishte heqja e dyerve të blinduara. Nuk e kam unë vetëm këtë mendim. Duhet të kthehemi në normalitet. Pa hyrë ishte mirë apo keq, duhet të hiqen. Hap i parë për bashkimin. Vetëm të bashkuar mundet të jemi konkurrues në zgjedhjet e ardhshme, lokalet, janë më të afërta.

Xhelal Mziu: Jemi në një situatë jo të mirë, por në kohë të volitshme për t'u paraprirë zgjedhjeve të 2023-shit. Rezultati i datës 6 foli për shumicë në anën tjetër. As ne, as ata nuk bëjmë dot pa njëri-tjetrin. Nëse kryejmë zgjedhjet e 2023-shit në egoizëm, do të ishte vrastare për PD-në. Duhet të gjejmë mënyrën për t'u bashkuar. Nuk e gjykoj se data 30 prill është zgjidhje. Nuk është normale që t'i bëjmë karshillëk njëri-tjetrit.

Ne kemi potencialin e nevojshëm për të gjetur një zgjidhje. Zgjidhja gjendet duke pasur një komision të përbashkët. Foltorja ka nisur organizimin në të gjitha degët. Nëse vazhdojmë kështu, do të vazhdojmë të mbetemi minorancë dhe të pa përfaqësuar dhe pastaj na rroftë sigla e PD-së. Pra, ky grup i përbashkët të garantojë që nuk ka vend për triumfalizëm.

Enkelejd Alibeaj: Jo. Nuk ka asnjë lloj skenari. Me aq informacion sa kam.

Jemin Gjana: Më vjen keq se je edhe familje e madhe e bushatllinjve dhe merresh me dyert e blinduara dhe nuk merresh me gjëra më të rëndësishme.

Helidon Bushati: Mos më cito dhe sidomos mos përmende familjen. Jep mendimin tënd, por mos më cito dhe mos bëj interpretime të opinionit tim.

Ervin Salianji: Duhet thirrur Këshilli Kombëtar që të japë legjitimitetin formal. Të ndërtojmë një grup dhe zgjidhje që e bën funksional për të gjithë, ku të gjithë mund të përfaqësohen si ngjyrime. Të hiqen dyert e hekurit, të tregojmë me simbolikë hapjen e partisë.

Gazment Bardhi: Dyert janë të hapura.

Ervin Salianji: Dyert e hekurit, që as nuk preken me dorë, ta shpifin, t'i heqim.

Gazment Bardhi: Neve na kërkuan dhe ne dhamë dorëheqjen dhe ata nuk kanë asnjë lloj dorëheqjeje. Unë i qëndroj vendimit të 9 shtatorit. S'mund të pranojmë që t'ia kthejmë PD-në "Non grata-s". Ne duhet të dalim nga kjo Kryesi me një mesazh të fortë bashkimi. Do t'i shtrimë dorën e bashkimit palës tjetër.

Së pari, dyert janë të hapura dhe janë çështje të administratës. S'ia vlen të merremi në Kryesi me këtë. Së dyti, për zgjedhjet e 2023. Është propozuar një ide që të pranohej nga të dyja palët, duke bërë zgjedhje të bashkuara. Jam dakord edhe unë që të dalim me mesazh për bashkimin.

Dhurata Çupi: Ne duhet të bashkohemi. Më datë 6 provuam se ne si PD jemi asgjë pa pjesën e foltores. As foltorja nuk ishte asgjë pa ne. Bashkë mund të jemi fitues në disa bashki. Ne duhet t'u japim demokratëve bashki të fituara në 2023. Dhe këtë e kemi detyrim për demokratët. Ne duhet të jemi bashkë për demokratët. Këtë s'do të na e falin demokratët.

Të kemi qëllimin e mirë për t'u bashkuar shpirtërisht, jo mekanikisht. Një grup negocimi të mandatuar nga Kryesia, me qëllimin për bashkim, jo për të vendosur kushte. Të shkojmë e të negociojmë me dëshirën dhe vullnetin për bashkim.

Nga ana tjetër, s'jam fare dakord me gjuhen e vrazhdë të përdorur nga disa deputetë ditët e fundit në media. Jam dakord që zoti Berisha ka mbështetjen e strukturave të PD në Shumicë. Por deputetët e tjerë janë pa asnjë kredit më shumë se deputetët e PD. Përse dalin dhe linçojnë kolegët e tyre që nesër duan të jenë në grup me ta.

Roland Bejko: Çfarë qëndrimi ke tani për Sali Berishën?

Dhurata Çupi: Vendimet që janë marrë, janë marrë në kontekstin e asaj kohe, por kjo nuk do të thotë se nuk mund të ketë reflektim. Tani jemi në një moment tjetër, që e imponon rezultati i 6 marsit dhe në politikë ka reflektim.

Tomor Alizoti: Sot ishte nga mbledhjet më të qeta që kemi pasur. Bëra një pakt me grupin që do fals ato që them unë, jo ato që kanë folur kolegët e tjerë. Ka një problem te mbledhjet tona, që gjatë diskutimit nxirren fjalët, që nuk është etike. Pikat kryesore të miat ishin këto: PD në bashkim nuk duhet të shkojë me fjalë letrare, por me akte politike.

Akti i parë është shfuqizimi i të gjitha përjashtimeve të demokratëve që mbledhja e nesërme të jetë me gjithë demokratët. Pika e tretë, zhblinimi i PD. Këto janë disa simbolika, akte që afrojnë dhe palën tjetër, që të unifikohemi si parti përmes akteve. Ne nuk mund të shmangim asnjë kandidat përmes deklaratave.

Partia është garë. Do dëshiroja që partia të kishte kandidatë që do t'i përkisnin së ardhmes, por këtë e vendosin demokratët. Ne e zgjidhim krizën jo duke bërë retorikë bashkimi, shtrim dore. Politika ka akte. Të hyjmë në garë ku të fitojë më i forti.

Jorida Tabaku: Neve na kanë sharë e na kanë quajtur të shitur. Në Vorë ata të foltores kanë bërë fushatë vetëm kundër meje. Në Vorë nuk është marrë njeri me Qifen, por me mua. Unë dhe Jonila Godole kemi kërkuar që të përjashtohet Berisha dhe vazhdoj i qëndroj këtij parimi. Por duhet të jetë i përjashtuar vetëm Sali Berisha. Negociatorët nga ana jonë të jenë njerëz të sprovuar, qëndrestarë dhe të sprovuar në situata të vështira.

Dhurata Çupi: Negociatorët nuk vendosen me muskuj, jo sa të fortë janë, por shkojnë për eksperiencën që kanë dhe maturinë.

Jorida Tabaku: Jo nuk e kisha për këtë, sepse unë nuk jam për politikë muskujsh.

Jemin Gjana (për deklaratën finale të Kryesisë): Duhet të beni kujdes sepse duket se po i llastoni shumë me deklaratën që po përgatisni për të lexuar.

Enkelejd Alibeaj: Qëllimi ynë nuk është që të llastojmë askënd, por ne shtrijmë dorën dhe tregojmë se kemi vullnet për të nisur negociatat.

Agron Kapllanaj: Ai më ka shantazhuar, më ka vendosur epitete, por ne do të bashkohemi vetëm për demokratët.

Lexo gjithashtu

Sondazh

Poll