Hapësire reklamuese

Bota

Kryeministri britanik: Shtyrja e Brexitit dëmton besimin publik

Shkruar nga Newsbomb
Kryeministri britanik, Boris Johnson

Kryeministri britanik, Boris Johnson ka paralajmëruar të premten se secili tentim nga ligjvënësit për të bllokuar apo shtyrë largimin e Britanisë nga Bashkimi Evropian përtej 31 tetorit, mund të shkaktojë “dëm afatgjatë” sa i përket besimit publik në politikë, transmeton agjencia e lajmeve, AFP.

Johnson ka thënë se britanikët kanë vendosur të largohen nga BE-ja në referendumin e 2016-ës dhe deputetët kanë premtuar disa herë se do ta realizojnë këtë vendim.

“Nëse e bllokojmë Britaninë nga të larguarit më 31 tetor, nëse një gjë të tillë do ta bëjnë parlamentarët, kjo do të shkaktojë dëm në besimin publik të njerëzve sa i përket politikës”, ka thënë ai për televizionin Sky.

“Do të shkaktojë dëm katastrofik në partitë e mëdha në këtë shtet. Kjo gjeneratë politike nuk do të falet për dështim të realizimit të atij premtimi”.

Ligjvënësit opozitarë dhe disa deputetë nga Partia Konservatore e Johnsonit kanë thënë se do të parandalojnë një Brexit pa marrëveshje, situatë e cila mund të rezultojë me mungesë të rezervave të ushqimit dhe ilaçeve.

Mirëpo Johnson ka thënë se përgatitjet për Brexit pa marrëveshje do t’i lejonin qeverisë që të hartojë dokument të ri me Brukselin.

“Frikësohem se sa më shumë që miqtë dhe partnerët tanë mendojnë se Brexiti mund të bllokohet, aq më pak kanë mundësi të na ofrojnë marrëveshjen që na duhet”, ka thënë ai.

Johnson ka njoftuar të mërkurën për pezullim të punës së parlamentit, vetëm disa javë para se të finalizionet procesi i Brexitit.

Ky veprim i tij është interpretuar si tentim për të kufizuar veprimet e kundërshtarëve.

Mbretëresha Elizabeta II, sipas këshillës së kryeministrit, ka vendosur për pezullim të punës së parlamentit nga mesi i shtatorit.

Ky vendim ka nxitur kundërshtime të mëdha si në mesin e politikanëve britanikë, ashtu edhe në mesin e atyre që kundërshtojnë largimin e Britanisë nga blloku evropian pa marrëveshje.

Andaj vendimi i kryeministrit britanik është duke u sfiduar në disa shkallë ligjore.

Një gjykatë skoceze ka kundërshtuar një kërkesë për të bllokuar përkohësisht vendimin për pezullim të punës së parlamentit, mirëpo do të mbajë një seancë të plotë dëgjimore të martën.

Ish-kryeministri britanik, John Major, një kundërshtar i ashpër i anëtarësimit në BE dhe Jo Swinson, lider i Liberal-Demokratëve do të jenë pjesë e një rasti tjetër në gjykatë në Londër, ditën e martë. /REL

Sondazh

Poll