Hapësire reklamuese

Aktualitet

Kryebashkiaku Veliaj prezanton prezanton Tiranën përmes 5 historive njerëzore në TEDx Prishtina

Shkruar nga Newsbomb

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, zgjodhi pesë histori njerëzore për të rrëfyer transformimin që ka pësuar kryeqyteti në këto dy vite dhe vizionin e tij për të ardhmen e qytetit, si i ftuar special në eventin TEDx Prishtina. Kryebashkiaku tha se ndryshimet që po ndodhin në Tiranë do të vijojnë me të njëjtin ritëm, ndërsa e cilësoi punën në bashki si një nga më të bukurat që mund të bëjë një njeri në jetë.

 Në fjalën e tij, Veliaj tha se qyteti nuk është thjesht infrastrukturë, por janë njerëzit ata që i japin jetë atij, e në këto dy vitet e fundit qytetarët e thjeshtë po bëhen protagonistë të transformimit që po ndodh në kryeqytetin shqiptar. Veliaj u ndal tek një nga investimet më të bukura që ka ndryshuar tërësisht një nga zonat më të vjetra të Tiranës, sikurse është Pazari i ri,  që deri pak vite më parë ishte një vend grumbullimi plehrash.

 “Ylli, ose siç njihet ndryshe Ylli i peshkut, është një nga sipërmarrësit e Pazarit të Ri, një projekt që filluam ta transformonim para pak muajsh me idenë për t’i rikthyer Tiranës një pjesë të vjetër të saj, duke harruar se disa njerëz si Ylli e kishin jetën të lidhur me pazarin, pavarësisht se ky ishte degraduar. Kur i thamë Yllit se ky vend duhet rikualifikuar, ai mobilizoi dhe drejtoi grupin e protestës aty, duke na thënë se Pazarin e duam siç është. Sot Ylli nuk është më një nga 20 protestuesit, por një nga 1020 vetët që po ushqehen e bëjnë biznes aty”, tha kryebashkiaku i Tiranës, duke shtuar se falë këtij projekti, vlera e pronës për qytetarët në këtë zonë është dyfishuar.

 Veliaj tha se pavarësisht se në shumë prej projekteve të realizuara gjithmonë ka pasur debate, në fund të gjithë janë bindur se ndryshimi ka qenë i nevojshëm dhe i duhuri. Ai e ilustroi me shembullin e suksesshëm të ndërtimit të këndit të parë të lojërave në kryeqytet, pranë Parkut të Liqenit Artificial, ku fillimisht u kundërshtua dhe sot është një nga ambientet më të vizituara në Tiranë. “Një nga projektet që ka marrë më shumë histeri ka qenë këndi i lojërave në Tiranë, projekti ynë i parë, i cili më ka kujtuar versionin modern të Rozafës: ne e ndërtonim paradite, kursë në darkë vinte një forcë imagjinare anonime që e shkatërronte. Në 100 ditë të ndërtimit të këndit të lojërave, kemi pasur 78 protesta! Në fakt, sot ky kënd është më i frekuentuari nga fëmijët e Tiranës”, tha ai, duke shtuar se ndryshimi nuk duhet të pengohet nga një minorancë, ndërsa theksoi se një nga detyrat e politikanëve është që të dëgjojnë mendimin e shumicës.

 “Njoh shumë politikanë që mendojnë se detyra numër një është të jenë në debatet televizive në darkë, ditën e enjte. Nuk është kjo. Detyra numër një është të marrin mendime. Ngatërresa kryesore që bëjnë shumë njerëz në angazhim publik është që ngatërrojnë një minorancë të zhurmshme me një shumicë të heshtur. Kjo është arsyeja pse shumë herë gjëra të guximshme nuk kanë ndodhur në Shqipëri e Kosovë, se tuten nga një minorancë që bën zhurmë dhe nuk e kemi durimin ta sqarojmë një herë, dy herë, tre herë, ta ndërtojmë një herë, tre herë, 7-8 herë, derisa në fund civilizimi të fitojë dhe të gjejmë gjuhën e përbashkët për të ecur përpara”, shtoi Veliaj.

 Tirana është një qytet i njohur për ndërtesat shumëngjyrëshe, ku ridekorimi i pallateve të vjetra nga artistët më të mirë të pikturave murale, i japin qytetit atmosferë pozitive duke e kthyer atë një qytet unik dhe tërheqës. Veliaj tha se falë edhe këtyre ngjyrave, Tirana është kthyer në një atraksion për mjaft grupe turistike. “Sot, Tirana është e pushtuar nga ngjyrat. Sot ka kompani turistike që ofrojnë ture të specializuara vetëm për të parë grafitit ose pallatet e vjetra e të reja që janë bërë, duke u kthyer në një produkt turistik, ku siç janë ata që ndjekin turizmin komunist dhe të luftës së ftohtë, ashtu është kthyer në një nga hapësirat më të instragramuara të qytetit dhe turi që qyteti gjeneron, qoftë edhe me ekonominë e ngjyrave”, u shpreh ai.

 Por, krahas përmirësimit të infrastrukturës, Tirana ofron edhe një jetë të pasur kulturore, sikurse janë ato që zhvillohen tek Reja, një nga instalacionet më të bukura që është shndërruar në vendin më të fotografuar. Veliaj deklaroi se në një vit nga hapja e saj, “Reja” ka gjeneruar mbi 170 aktivitete të papërsëritshme. “Reja sot është kthyer në një nga gjërat më fantastike që i kanë ndodhur qytetit. Sot kemi mesatarisht një aktivitet në dy ditë, me zero kosto. Në një vit nga hapja e saj “Reja” ka gjeneruar mbi 170 aktivitete unike, të papërsëritshme dhe për shumë prej atyre që kanë qenë në Tiranë, është sot një nga hapësirat ikonë. Ideja është: ndoshta qytetin nuk e rregullon dot brenda natës, as Tiranën apo qytetet e tjera në rajon, por ajo që mund të bëjmë është të ndërhyjmë me akupunturë që gjeneron energji të pashoqe në një qytet si ky i yni”, shtoi Veliaj.

 Kreu i Bashkisë solli në vëmendje edhe disa prej projekteve më të suksesshme që kanë sjellë një ndryshim të prekshëm në kryeqytet, sikurse  janë mbështetja sociale apo përmirësimi i infrastrukturës në komunitet, shkolla e çerdhe, edhe falë bashkëpunimit me donatorë të ndryshëm. Ai vlerësoi punën e bërë gjatë këtyre dy viteve për çështjen e strehimit dhe të mbështetjes ndaj shtresave në nevojë. Sipas tij, Bashkia e Tiranës ka ndërmarrë me sukses nismën për hapjen e qëndrës së emergjencave si dhe për programin e banesave sociale ku përfitojnë realisht ata që kanë më shumë nevojë.

 Ndërkaq, Veliaj tregoi edhe historinë e pashoqe të Thanas Dhespos, një ish i dënuar politik, që është një shembull frymëzimi për komunitetin. Ai, së bashku me Nicën, bashkëshorten e tij, vendosën që një pjesë të parave të marra nga vitet e burgut, pas ndryshimit të ligjit në vitin 2014, t’i investonin në të mirë të komunitetit duke rikonstruktuar fasadën e pallatit. “Historia e të përndjekurve në Shqipëri u referohet rreth 20 mijë vetëve që kanë bërë burg gjatë kohës së komunizmit, kryesisht për idetë e tyre. Gjatë 25 viteve të tranzicionit në Shqipëri gjithmonë abuzohet me këtë kategori, por më në fund në ministri vendosëm që kjo punë duhet mbyllur tani, në gjeneratën tonë, jo nesër. Unë e kisha harruar si histori, menduam që duke bërë pagesat u zgjidhën edhe dramat njerëzore apo historitë që i shoqërojnë ato, derisa një ditë dikush më shkruan se në një pallat në Tiranë, një ish i përndjekur i kishte investuar paratë e dëmshpërblimit për rikonstruksionin e gjithë pallatit, duke krijuar një energji të jashtëzakonshme në komunitet. Kështu thamë: ja pra, Shqipëria bëhet, edhe me dikë që është 91 vjeç”, tha Veliaj.

 Kreu i Bashkisë u shpreh se falë këtij kontributi, është rritur dëshira dhe vullneti i atyre që dëshirojnë të kontribuojnë duke investuar në të mirë të komunitetit. “Një pjesë e madhe e çerdheve, kopshteve, shkollave të Tiranës në fakt bëhet me fonde e financime private. Kemi një garë sot mes bizneseve se kush investon më shumë për të adoptuar një çerdhe, kopësht, kush po merr përsipër një kënd lojërash. Në total, në një vit, nëse do kishim një shifër financiare, 6 milionë euro në qytetin e Tiranës kanë ardhur vetëm nga filantropia, që disa herë është modeste si e Thanasit, e disa herë është gjigande si e atyre që bëjnë çerdhe, kopshte e shkolla të reja ”, përfundoi Veliaj fjalën në TEDx.

 Eventet TEDx janë shumë të njohura në botë dhe organizohen çdo vit duke bërë bashkë njerëz të njohur politikanë, studiues, muzikantë, shkencëtarë, arkitektë etj, të cilët me fjalimet e tyre frymëzuese sjellin eksperienca të ndryshme për çështje të ndryshme.

 

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu