Kryetari i bashkisë së qytetit Mariupol tha këtë të hënë se qyteti i tij ishte “në duart e pushtuesve” pas një rrethimi javor nga forcat ruse që rrafshuan qytetin, lanë një numër të panjohur civilësh të vdekur dhe detyruan qindra mijëra njerëz të largoheshin nga vendi i tyre.
“Jo gjithçka është në fuqinë tonë.Fatkeqësisht sot jemi në duart e pushtuesve”, tha Vadym Boichenko.
Boichenko bëri thirrje për një evakuim të plotë të popullsisë së mbetur të Mariupolit, e cila kishte një popullsi prej mbi 400,000 banorësh përpara se Rusia të fillonte pushtimin e saj në Ukrainë më 24 shkurt.
“Sipas vlerësimeve tona, rreth 160,000 njerëz ndodhen sot në qytetin e rrethuar të Mariupolit, ku është e pamundur të jetosh sepse nuk ka ujë, drita, ngrohje, as internet”, tregoi kryebashkiaku.