
Ish-deputetja e PDIU-së Mesila Doda gjykon se zgjedhjet e parakohshme në Shqipëri duhet të ishin mbajtur me kohë për shkak të krizës së vazhdueshme politike dhe ekonomike në vend.
Në studion e ‘’Report TV’’, Doda u shpreh se ndryshimi i sistemi zgjedhor nuk garanton një proçes transparent elektoral përderisa nuk ekzistojnë kushtet e mbajtjes së zgjedhjeve demokratike.
‘’Zgjedhjet e parakohshme nuk janë ndonjë gjë të re, janë kërkuar nga Lulzim Basha që një vit më parë. Sot jemi në gjendje kur nuk e dimë se si do të ruhen pensionet dhe rrogat. Ky pushtet është i vjedhur, dhe nga ana tjetër pushteti është keqpërdorur, sepse janë vjedhur shumë në 4 vite, po largohen shumë e shumë shqiptarë.
Nuk e di se çfarë duhet të bëjmë, të marrim armët dhe të mbrojmë kutitë e votimit?!. Zgjedhjet janë vjedhur pa vajtur te kutia, sepse kanë shkuar te çdo shtëpi, u ka dhënë ryshfete, i kanë kërcënuar me policinë, i kanë kërcënuar me shkarkim nga puna. Është korruptuar sistemi. Janë të kota pretendimet se problemi qëndron te sistemi zgjedhor, ky sistem në këto kushte do të deformohet. Pas vjedhjes së zgjedhjeve, qeveria nuk jep llogari te qytetari, por te krimi. Që të punojë një sistem, duhet të punojë 3 të rinj për të garantuar pensionin e një të moshuari. Ndodhemi përballë një skenari, ku duhet të bëheshin zgjedhjet e parakohshme. Janë gjëra elementare, por këta duan të bëjnë arrogantin dhe injorantin. Dëgjova ambasadoren e re të SHBA-së për krizën politikë. Kjo krizë duhet të zgjidhet’’, bën me dije Mesila Doda.
Për sa i përket çështjes së refuzimit të hapjes së negociatave për integrimin e Shqipërisë në BE, Doda deklaron se ky vendim dihej me kohë, përderisa gjendja ekonomike dhe politike është e nderë. ‘’9 kushtet e Gjermanisë’’, sipas Dodës, ‘’ishin një ‘PO’ në dukje, por në realitet ishte një përgjigje refuzuese për çeljen e bisedimeve. Ndërsa për çështjen e Reformës Zgjedhore, Doda thotë se opozita i ka paraqitur vërejtjet e saj për riparimin e difekteve të sistemit elektoral.
‘’Gjendja dihej, nuk mund të hapeshin negociatat kur ka krizë poltike. Duhet të kishim plotësuar kushtet e Bundestagut, ishte një ‘po’ në dukje në realitet një ‘jo’. Aty kërkohet ngritja e reformës zgjedhore. Këtu nuk është problemi te sistemi elektoral, por te abuzimet me fondet, presionin e policisë. Edhe para 30 qershorit, u nënvizuan kushtet e Bundestagut.
Për Reformën Zgjedhore, opozita i ka bërë propozimet e veta, i keni transmetuar vërejtjet tona. Kemi dhe raportin e OSBE-ODIHR-it. Kjo është në vazhdën e autoritarizmit. E dimë arrogancën e tyre’’, përfundon Doda.