Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, në një deklaratë për mediet bëri me dije se Këshilli Mbikëqyrës ka vendosur që të rrisë me 0.5 % normë bazë të interesit, duke e çuar në nivelin 2.25%.
Kjo është rritja e katërt e e aplikuar gjatë këtij viti dhe tashmë norma bazë e interesit ka arritur nivelin më të lartë që prej vitit 2014.
Ai u shpreh se inflacioni i lartë i cili u rrit në korrik e gusht në nivelin 7.5% deri në 8 %, si dhe do të vazhdojë të jetë i lartë për të paktën 2 tremujorët e ardhshëm.
Deklarata e Gent Sejkos:
Këshilli Mbikëqyrës vendosi:
-të rrisë me 0.5 pikë përqindje normën bazë të interesit, duke e çuar atë në nivelin 2.25%;
-të rrisë me 0.5 pikë përqindje normën e interesit të depozitës njëditore, duke e çuar atë në nivelin 1.25%;
-të rrisë me 0.5 pikë përqindje normën e interesit të kredisë njëditore, duke e çuar atë në nivelin 3.25.
Në gjykimin e Këshillit, normalizimi gradual i qëndrimit të politikës monetare, nga pozicioni tejet stimulues i saj në trajtat aktuale në një pozicion më neutral, është një masë e domosdoshme për respektimin e objektivit tonë të inflacionit të çmimeve. Në këtë këndvështrim, ky normalizim i shërben stabilitetit të përgjithshëm ekonomik dhe financiar të vendit, rritjes së qëndrueshme dhe afatgjatë dhe përmirësimit të mirëqenies sociale.
Në konsistencë me komunikimet e kaluara dhe me parashikimet tona afatmesme, Këshilli Mbikëqyrës thekson se cikli normalizues i politikës monetare do të vijojë edhe në tremujorët në vazhdim. Në çdo rast, shpejtësia e normalizimit do të jetë në përputhje me të dhënat e reja dhe e mjaftueshme për të respektuar objektivin tonë afatmesëm të inflacionit.
Këshilli Mbikëqyrës do të monitorojë me kujdes situatën për të vlerësuar në kohë implikimet për ecurinë e inflacionit dhe për të identifikuar në kohë masat e nevojshme për administrimin efektiv të saj.
Inflacioni u rrit më tej në muajt korrik e gusht, duke shënuar vlerat respektive prej 7.5% dhe 8.0%. Kontributi kryesor në inflacion vijon të vijë nga rritja e shpejtë e çmimeve të ushqimeve dhe të naftës. Megjithatë, tendenca e rritjes së çmimeve po bëhet prezente në një gamë gjithnjë e më të gjerë mallrash dhe shërbimesh.