Presidentit të Komisionit të Venecias, Gianni Buquicchio iu akordua titulli “Doctor Honoris Causa” nga Universiteti Europian i Tiranës
“Ne nuk duhet të kurrsesi të mendojmë që demokracia mund të ndërtohet njëherë e përgjithmonë, që liria është “e fituar” dhe se tranzicionet demokratike janë të pakthyeshme, sidomos nëse mendësia demokratike nuk është fituar në mënyrë të pakthyeshme. Jam i bindur se ekspertiza e anëtarëve tanë do të ndihmojë shtetet anëtare për të mos rrëshkitur sërish drejt zakoneve të vjetra autoritare. Së paku, kjo ka qenë ambicia ime gjatë 25 viteve të punës në Komisionin e Venecias dhe do të mbetet qëllimi im për të ardhmen”. Ky ishte mesazhi i Presidentit të Komisionit të Venecias, Gianni Buquicchio, sot në Tiranë, gjatë ceremonisë së akordimit “Doctor Honoris Causa” nga Universiteti Europian i Tiranës. Ai kishte pasur më parë gjatë ditës disa takime me krerët e shtetit shqiptar, ndërsa theksoi para studentëve dhe petagogëve se demokracia është një gjë për të cilën duhet të luftojmë vazhdimisht.
“Unë kam besim në brezat e rinj të juristëve. Ata kanë eksperiencën e të jetuarit në një shoqëri më pluraliste dhe më të hapur. Të rinjtë në Shqipëri nuk kanë jetuar të izoluar nga pjesa tjetër e botës, siç kanë jetuar prindërit e tyre, 30, 40, apo 50 vjet më parë. Të rinjtë kanë parë, në Shqipëri dhe vende të tjera, se Kushtetuta mund të jetë një instrument esencial ligjor me aplikim të drejtpërdrejtë dhe jo vetëm një deklaratë e pavlerë e qëllimeve të mira”, tha ndër të tjera Gianni Buquicchio.
Gjatë fjalës para studentëve ai tha se jeta e tij kishte pasur që në lindje lidhje me Shqipërinë, pasi kishte lindur dhe ishte rritur në Bari, në brigjet e Adriatikut, por për 50 vjet kishte mbetur një mister.