Nga Mikeljana Prenja
Në kohën e izolimit të Shqipërisë nën regjimin komunist, vendi arriti një vetëmjaftueshmëri të trumbetuar fort nga zyrtarët burokratë të kohës për prodhimin e shumë produkteve, duke filluar nga bakri apo ari, e deri te prodhimi i plehrave kimike për bujqësinë dhe riparimi i avionëve.
Uzina e Aviacionit, njohur si “krenaria e Kuçovës”, ishte një prej ndërmarrjeve më të rëndësishme të kësaj periudhe. Me një numër të relativisht të konsiderueshëm avionësh në nevojë të riparimit, si Mig-19 dhe Mig-21, u krijua kjo uzinë e cila shpesh ishte syri dhe veshi i hapësirës ajrore. Nisur me një staf të vogël në fillim, 47 punëtorë që vinin nga Kuçova dhe Berati, të pasionuar për punën dhe gati të bënin gjithçka për t’i dhënë uzinës një imazh të shkëlqyeshëm, uzina nisi riparimin e avionëve në mënyrë të kualifikuar në vitin 1967.
Me kalimin e kohës, stafi u zgjerua me inxhinierë dhe personel ushtarak, dhe në vitin 1973 u krijuan 6 reparte riparimi, duke përfshirë makineritë metalprerëse, agregatet, pajisjet speciale, si dhe departamentet teknologjike dhe të galvanizimit.
Kjo uzinë tregon një histori pasioni, përkushtimi dhe vullneti të njerëzve të asaj kohe për të ndërtuar diçka të jashtëzakonshme, duke kaluar nëpër sfida të mëdha dhe duke lënë një trashëgimi të veçantë pas tyre. Në fillim të gjithë, me entuziazëm dhe vullnet, ndihmuan në realizimin e fluturimit të parë të avionit Mig-15 në 1968. Kjo histori reflekton edhe një rrethanë të rëndësishme: koha. Sot, ata të cilët kanë qenë pjesë e këtij rrugëtimi janë të moshuar, por kujtimet e tyre janë ende të freskëta dhe tërheqin në një mënyrë të veçantë.
Ndriçim Çaudari, shef i repartit Agregat-Paisjeve speciale në uzinë dhe tekniku Petrika Tanku rrëfejnë për newsbomb.al punën në uzinë. Momentet e bukura, të vështira dhe sukseset e arritura në uzinën e riparimit të Aviacionit.
Me nostalgji, ata mbajnë në mendje çdo detaj dhe moment të asaj periudhe të veçantë të jetës së tyre. Sot, e gjithë baza e Kuçovës është nën administrim të NATO-s, dhe ka një shpresë që të gjithë ata të cilët kanë punuar atje të shohin rimëkëmbjen e saj në një formë tjetër, për të parë shkëlqimin e dikurshëm të ringjallur tek e ardhmja. Është një shpresë e bukur për ata që kanë investuar energji dhe pasion në ndërtimin dhe funksionimin e kësaj baze.
Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e ri të Revistës Newsbomb.al, e cila ka dalë në treg sot dhe mund ta gjeni në të gjitha pikat e shitjes…