Kremlini ka reaguar pas deklaratës së ish-kryeministrit britanik Boris Johnson, se Putin e ka kërcënuar me sulm me raketa duke thënë “vetëm një raketë, do të duhet një minutë”, përpara luftës në Ukrainë. Autoritetet ruse e cilësuan si një gënjeshtër deklaratën e tij.
“Ajo që tha zoti Johnson nuk është e vërtetë. Më saktësisht, është një gënjeshtër,”, tha zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov gjatë një konference për shtyp.
Peskov tha se ishte në dijeni të asaj që u diskutua gjatë asaj bisede, por theksoi se “nuk kishte kërcënime me raketa”, siç u pretendua nga Johnson.
Sipas Peskov, “Duke folur për sfidat e sigurisë për Federatën Ruse, Putin vuri në dukje se në rast të anëtarësimit të Ukrainës në NATO, vendosja e mundshme e raketave të NATO-s ose amerikane pranë kufijve tanë, do të nënkuptonte se çdo raketë do të arrinte në Moskë brenda pak minutash.”
“Nëse ky pasazh u kuptua në këtë mënyrë, është një situatë shumë e vështirë,” shtoi ai.