Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u ka ndaluar socialistëve organizimin e pesë aktiviteteve shtetërore, pasi ka konkluduar se mund të përdoren për qëllime elektorale.
Ndalimi është bërë në kuadër të ligjit që parashikon ndalimin e këtyre aktiviteteve në prag të zgjedhjeve, ku mund të përdoren slogane, thirrje, pankarta apo logo që në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë promovojnë një parti politike.
Mes aktiviteteve të ndaluara është një organizim nga ministrja e Kulturës Elva Margariti, që ishte parashikuar të mbahej në datën 24 mars në ambientet e Ministrisë që ajo drejton.
Tre aktivitete i janë ndaluar kryebashkiakut të Gjirokastrës, një ku do inspektonte rrugën në fshatin Zhulat dhe dy të tjera me folkus turizmin dhe rininë. Në një prej këtyre takimeve do të ishte e pranishme edhe ministrja Mirela Kumbaro.
Ndërsa aktiviteti tjetër i ndaluar do të organizohej nga kryebashkiaku i Kavajës, Redjan Krali në një ambient ku do të mblidheshin nxënësit ekselentë të qytetit. Në këtë takim ishte parashikuar të merrte pjesë edhe deputeti socialist Etjen Xhafa.
Ky i fundit duket se e ka injoruar vendimin e KQZ-së, duke vendosur ta organizojë eventin, pavarësisht vendimit për ta ndaluar.