Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar nga detyrua këtë të martë gjyqtaren e Gjykatës së Tiranës, Fida Osmani.
Gjatë seancës dëgjimore të mbajtur më 21 prill, Komisioni gjeti konflikt interesi në disa çështje të gjykuara prej saj, si dhe konstatoi pamundësi financiare të familjes së saj për krijimin e pasurive të deklaruara.
Osmani pretendoi se e kishte përmbysur barrën e provës dhe kërkoi çelje të hetimit edhe për dy kriteret e tjera. Kryesuesja Valbona Sanxhaktari sqaroi në fillim të seancës se kërkesa e subjektit për çeljen e hetimit për pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin nuk ishte pranuar.
Procesi i vetingut për Osmanin u krye nga trupa e KPK-së, e kryesuar nga Valbona Sanxhaktari, me relatore Xhensila Pine dhe anëtar Olsi Komicin.
Fida Osmani e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2000 dhe punon prej dy dekadash si gjyqtare në Gjykatën e Tiranës.