Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) ka shpallur në detyrë për konfirmimin në detyrë të prokurores së Tiranës, Suela Salavaçi. Vendimi u mor me shumicë votash nga trupa e KPK e kryesuar nga Alma Faskaj, me relatore Suela Zhegun dhe anëtare Etleda Çiftjan. Po ashtu, KPK vendosi të transferojë një çështje për verifikim në institucionin e Inspektorit të Lartë te Drejtësisë.
Prokurorja Salavaçi u përball të martën më 26 shtator me barrat e provës për pasurinë, që kishin të bënin kryesisht me bilancet negative të prindërve për disa pasuri që i kishin dhuruar, si dhe me pamundësitë e konstatuara në vite për investimet dhe shpenzimet e kryera prej saj dhe të bashkëshortit.
Salavaçi e kundërshtoi analizën financiare të Komisionit duke pretenduar se për prindërit duhet të kryhet vetëm për pasuritë e dhuruara dhe jo analizë e përgjithshme e tyre. Po ashtu, këmbënguli se kishte përmbysur edhe bilancet negative të konstatuara për familjen e saj.
Ajo mori vlerësim pozitiv për pastërtinë e figurës, ndëkrohë që dha shpjegime për disa gjetje në kriterin profesional, shkruan reporter.al.
Suela Salavaçi e nisi karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2003 si prokurore në Prokurorinë e Durrësit. Prej vitit 2009, ajo e ushtron funksionin pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.