Hapësire reklamuese

Aktualitet

KPA rrëzon pretendimet e Komisionerit Publik, gjyqtarja Enkeleda Osmani kalon vettingun dhe qëndron në detyrë

Shkruar nga Newsbomb
KPA rrëzon pretendimet e Komisionerit Publik, gjyqtarja Enkeleda Osmani

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, shpalli të enjten më 16 shkurt 2023 vendimin për lënien në fuqi të konfirmimit në detyrë të prokurores së Durrësit, Enkeleda Osmani (Xhengo), duke i rrëzuar si të pabazuara dhe jashtë objektit të shqyrtimit të çështjes thuajse të gjitha shkaqet e ngritura nga Komisioneri Publik, Florian Ballhysa, i cili kërkoi shkarkimin e saj.

Vendimi u mor nga trupi gjykues i Kolegjit i kryesuar nga Rezarta Schuetz, me relatore Albana Shtyllën dhe anëtarë Natasha Mulajn, Mimoza Tasi dhe Sokol Çomon.

Osmani u konfirmua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në korrik të vitit 2020, por vendimi për konfirmimin e saj u ankimua në Kolegj nga Komisioneri Publik, pasi sipas tij nuk kishte prova të mjaftueshme që të ardhurat e bashkëshortit të deklaruara në deklaratat vjetore ishin me burim të ligjshëm.

Gjatë paraqitjes së konkluzioneve përfundimtare më 3 shkurt, komisioneri Ballhysa vërejti se subjekti kishte arritur të provonte disa prej pretendimeve të saj lidhur me të ardhurat e bashkëshortit nga punësimet në disa kompani, që kanë shërbyer për blerjen e një apartamenti në Tiranë. Megjithatë, ai vlerësoi se ajo gjendej në kushtet e deklarimit të pamjaftueshëm për një pjesë të këtyre burimeve. Ai u qëndroi parashtrimeve se subjekti rezultonte në pamundësi financiare për blerjen e një apartamenti në Kavajë dhe shpenzimet në vitin 2015, pasi nuk kishte deklaruar pakësimet e gjendjes cash.

Prokurorja Osmani, nëpërmjet përfaqësuesit të saj ligjor, avokatit Julian Mërtiri, i kundërshtoi konkluzionet e komisionerit lidhur me të ardhurat e bashkëshortit, duke kërkuar të konsideroheshin të gjitha vlerat e përfituara faktikisht, me argumentimin se nuk kishte qenë në dijeni për shmangien e detyrimeve për një pjesë të pagës nga ana e ish-punëdhënësve. Mërtiri e cilësoi të pavërtetë konstatimin se nuk kishte deklaruar burimin e apartamentit në Kavajë, ndërsa mospasqyrimin e pakësimit të gjendjes cash e konsideroi si një pasaktësi të pashoqëruar me pamundësi financiare dhe duke ju referuar jurispudencës së KPA-së, kërkoi që këto likujditete të përfshiheshin në analizë. Osmani kërkoi lënien në fuqi të konfirmimit të saj, bazuar në parimin e objektivitetit dhe proporcionalitetit.

Gjatë njoftimit të vendimit të përmbledhur, kryesuesja Rezarta Schuetz sqaroi se Kolegji i ka gjetur të pabazuara pretendimet e komisionerit për pamundësi të subjektit për të investuar në apartamentin në Tiranë dhe mbulimin e shpenzimeve. Sipas KPA, nuk qëndron pretendimi i komisionerit se në gjendjen që janë aktet është e pamundur që të vlerësohen të ardhurat reale të bashkëshortit të subjektit punësimi në disa shoqëri. Kolegji vlerëson se gjatë gjykimit ëshë provuar egzistenca e marrdhënies së vazhdueshme të punës si dhe mungesa e dijenisë së bashkëshortit të subjektit lidhur me faktin se kontributet nga punëdhësi ishin derdhur për pagën bruto minimale dhe jo për masën e rrogës së pasqryuar në deklaratat periodike. Ndërsa në një vit, rezultonte se punëdhënësi nuk kishte shlyer detyrimet.

Sipas KPK, analiza financiare është bazuar në dokumentacionin zyrtar të administruar në funksion të përllogaritjes së pagës së bashkëshortit të subjektit, deklarimet vjetore dhe ato të dhëna gjatë procesit të rivlerësimit.

Schuetz shpjegoi se megjithëse është konsideruar minimumi i mundësisë së të ardhurave të bashkëshortit të prokurores Osmani, ka rezultuar balancë negative në dy vite në shumën rreth 700 mijë lekë, që nuk është vlerësuar penalizuese. Sipas KPA, nëse do të ishin përllogaritur pagat reale atëherë pamundësia financiare do të ishte dukshëm më e ulët.

Lidhur me konstatimin e komisionerit për pamundësi të subjektit për blerjen e një apartamenti në Golem dhe të një automjeti për shkak se nuk ka deklaruar gjendjen cash, Kolegji sjell në vëmendje se pavarëisht kësaj mangësie në deklarim, subjekti ka shënuar se si burim për krijimin e këtyre pasurive kanë shërbyer kursimet. Nga analiza financiare e kryer në Kolegj duke u konsideruar kursimet e deklaruara nga subjekti, ka rezultuar se ajo dhe bashkëshorti kanë pasur mundësi për të investuar në këto pasuri.

Ndërkohë, është gjetur i drejtë pretendimi se subjekti nuk mbulon me burime të ligjshme shpenzimet e vitit 2015, prej nga ka rezultuar me pamundësi në shumën 241 mijë lekë. Por, edhe kjo balancë negative nuk është gjetur penalizuese.

Schuetz sqaroi se shkaqet e tjera të ngritura në ankim u gjetën jashtë kufijve të shqyrtimit të çështjes. Bazuar në parimin e objektivitetit dhe proporcionalitetit, KPA vlerëson se prokurorja Enkeleda Osmani (Xhengo) arrin nivel të besueshëm në kriterin e pasurisë dhe për rrjedhojë e ka gjetur të drejtë vendimin e KPK për konfirmimin e saj në detyrë. /Birn

 

Lexo gjithashtu

Sondazh

Poll