Lidhjet familjare me emigracionin kanë qenë gjithmonë të foprta për shqiptarët e Kosovës, por përballë papunësisë dhe varfërisë, shumë të tjerë në këtë shtet vazhdojnë të largohen.
Kosova dita ditës po zbrazet, e këtë më së miri po e tregojnë pamjet e stacioneve të autobusëve në qytetet e ndryshme të Kosovës, të cilët çdo natë janë të stërmbushur nga qytetarët të cilët po nisën për në vendet e perëndimit.
Vetëm në një ditë në stacionin e autobusëve në Prishtinë ishin diku afro 800 kosovarë të cilët po prisnin që të merrnin rrugën për jashtë Kosovës. Ata udhëtojnë nga Prishtina drejt Beogradit dhe më pas në BE. Shtetasit në mesnatën e së premtes janë nisur me katër autobus të mbushur plot me kosovarë të cilët po e braktisin Kosovën në kërkim të një jete më të mirë në vendet e perëndimit.