Hapësire reklamuese

OpEd

KOSOVA, NJË “FLAKARESHË” PËR SHQIPËRINË!

Shkruar nga Newsbomb
KOSOVA, NJË “FLAKARESHË” PËR SHQIPËRINË!

Nga Edi Oga, ekskluzivisht për Newsbomb.al

Kosova e politikës, dje i dha një tjetër “flakareshë” politikës në Shqipëri!

Natyrisht, kjo ishte rrjedhojë e asaj që ndodhi atje, pasiqë objekti ishte rinovimi i pushtetit lokal, zgjedhja e kryetarëve të komunave (bashkive, tek ne). Edhe faza e balotazhit shkoi pothuajse në perfeksion dhe tashmë dardanët dinë emrat e kryetarëve dhe logot e partive që do të administrojnë qytetet dhe komunat në katër vitet që pasojnë.

Ja çfarë duhet të mësojnë shqiptarët e “kësaj ane” nga këto zgjedhje:

  • Në Kosovë zhvillohen zgjedhje vërtetë të lira dhe demokratike!
  • Zgjedhjet në Kosovë nuk njollosen nga vjedhjet dhe shitblerja e votës!
  • Opozita në Kosovë nuk i abandonon zgjedhjet lokale!
  • Votat në Kosovë numërohen në kohë rekord! Gjithnjë në më pak se 24 orë!
  • Në Kosovë pala humbëse nuk shpall mosnjohjen e zgjedhjeve, por humbësi e uron fituesin ende pa mbaruar numërimi në kutinë e fundit!
  • Në Kosovë, shumica e  kandidatëve janë njerëz të shkolluar, persona me integritet dhe me dashuri të provuar për atdheun e tyre!
  • Kryetarët e komunave fitojnë me programe të detajuara zhvillimi, të debatuara në fushatë, duke përfshirë komunitetin dhe grupet e interesit. Ata nuk mbështeten (kryesisht) nga oligarkët!
  • Në Kosovë, pushteti lokal nuk shkon domosdoshmërisht në përpjestim të drejtë me numrat e pushtit qendror (lexo: LVV që ka pushtetin, fitoi lokalet në vetëm 4 komuna).
  • Qytetarët e Kosovës janë kërkues dhe ndëshkues ndaj pushtetit që nuk i përgjigjet kërkesave të tyre dhe nuk realizon premtimet elektorale. Atje nuk ka apati dhe inerci të bindjeve (lexo: interesave) politike, por pragmatizëm elektoral, i cili realizohet me të vetmin mekanizëm që pranon demokracia, votën e lirë!
  • Kosova ka një tendencë të shkëlqyer për të rinovuar elitat politike, në kundërshti me politikën tonë, ku protagonistë janë gjithnjë xhaketat e kthyera dhe fosile politike që vijnë nga riciklime epokale. Politikanë “karriere”, nga të dështuar deri në maksimalisht të korruptuar!

Ta lumsha moj Kosovë!

Ec përpara dhe na mëso se si të votojmë e si të zgjedhim!

Mëso qytetarët që, nëse duan dhe besojnë, ata mund të jenë zotër të fateve të veta!

Mëso politikanët që, në një shtet demokratik, ata nuk janë të pazëvendësueshëm aq më pak të përhershëm. Koha po vjen që në politikë të jesh për të dhënë, jo vetëm për të marrë!

Sondazh

Poll