Ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku, njofton se kompania AlbControl është kthyer në normalitet të plotë, pasi kontrollorët që braktisën punën për 2 ditë më parë janë bindur e janë kthyer në detyrë.
Sipas saj, “plani i pengmarrjes ka dështuar”, ndërsa thekson se drejtësia do të zbardhë ngjarjen e rëndë. “Albcontrol në normalitet të plotë. Kontrollorët e kthyer në përgjigje të apelit tonë jane në krye të detyrës. Drejtësia të zbardhë deri në fund ngjarjen e rëndë. Plani i pengmarrjes dështoi”, shkruan Balluku.
Sot, nga Rinasi kanë nisur dhe fluturimet e para për pasagjerët.
Kujtojmë se prej dy ditësh fluturimet nga Rinasi u bllokuan për shkak të grevës së 65 kontrollorëve të AlbControl, të cilët u vetëdeklaruan të gjithë “të paaftë për punë”, njëherësh. Kryeministri Rama tha dje se një pjesë e kontrollorëve kanë pranuar të kthehen në punë, ndërsa 3 të tjerë që cilësohen si organizatorë të grevës janë arrestuar.
Ata kërkonin rikthimin e pagës në nivelin e mëparshëm, prej 4.400 dollarësh në muaj, pasi prej 1 viti ajo u ishte përgjysmuar në 2.400 dollarë, dhe kjo ju kishte shkaktuar stres dhe probleme financiare në familje.