Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Politikë

KONGRESI I VAZHDIMËSISË

Shkruar nga Newsbomb

Vera e re në fuçinë e vjetër

Nga Roland Qafoku

Me këndimin e himnit kombëtar, si të ishte këngë spektakli televiziv. Me ovacione, që të këpusnin shpirtin dhe me entuziazëm të mekur. Me folës që për sfond kishin socialistë, si dikur Enveri mbante kooperativistët e dalluar. Me ministrat e rinj që flisnin për punën e paraardhësve, por jo të tyren. Me shumicën e fjalimeve, që dukshëm dalloheshin se i kishte shkruar e njëjta dorë dhe që nuk ishte treguar kujdes për ta fshehur këtë. Me folës, të cilët edhe pse PS-ja ka gjashtë vjet në pushtet, përsërisnin refrenin “kemi shumë për të bërë”. Me median jashtë sallës për t’u ngrohur në diell, duke shënuar rekord në këto 29 vjet. Kongresi pa numër i Partisë Socialiste kishte vetëm një emërues: Ai ishte Kongresi i vazhdimësisë! I asaj vazhdimësie, që tregon se ky pushtet është në kulmin e një zhgënjimi total. I asaj vazhdimësie, e cila ka zbehur totalisht frymën dhe është larg pritshmërive që kishte në vitin 2013. I asaj vazhdimësie, që tregon se ky pushtet është në rënie në pikiatë. I asaj vazhdimësie, që tregoi se Edi Rama është i rrethuar nga servilë, puthadorë dhe zbukurues situatash e që gjithnjë e më shumë e kanë çuar atë, por edhe vetë qeverinë dhe Partinë Socialiste larg realitetit. I asaj vazhdimësie, që rrethuesit i thonë Ramës “ti je Dielli”, ndërsa vetë ata janë yje rreth tij dhe të tjerë akoma afër dhe larg rrotullohen po rreth tij e më pas nuk ka më. Ai ishte kongres i vazhdimësisë, edhe për mënyrën sesi Rama vijon të funksionojë edhe me krizën që po kalon vendi. Më shumë sesa basti për një bashki më shumë, Edi Rama duhet t’u kishte dhënë një premtim socialistëve dhe të gjithë shqiptarëve se do zhvillonte zgjedhje pa blerje votash, pa financime nga krimi dhe pa kandidatë që kanë probleme me drejtësinë. Por kongresi vijoi që gjithçka që Partia Socialiste ka bërë në këto gjashtë vite, ta krahasonte me vitin 2013, kur mori pushtetin premtimi i madh se Shqipëria do rilindte si asnjëherë, që nga qeverisja e parë e shtetit shqiptar të Ismail Qemal Vlorës.

Për ta vërtetuar, këtë mjafton të sjellim në mendje këto pasazhe të kryeministrit Rama më 12 shtator 2013, në një fjalim të tij në Kuvend: “Viti 2013, njësoj si viti 1992 do të shënohet në historinë e re politike të Shqipërisë, si viti i votës popullore që siguroi kthesën e madhe demokratike të vendit tonë. Mes rrënimit të mëtejshëm dhe një rilindjeje shqiptare, 1 milion shqiptarë u bënë bashkë për Rilindjen”.

Kur lexon këto pas gjashtë vjetësh, të vjen të qeshësh. Kongresi nuk e konfirmoi kurrë se me socialistët Shqipëria ka rilindur. Pas fjalimeve të sheqerosura, kulmi i këtij kongresi ishte deklarata përmbyllëse. Në të u theksua me tam-tam-e se rritja ekonomike në Shqipëri ishte mbi 4 për qind; se Shqipëria kishte arritur nivelin më të ulët të papunësisë me 12.3 për qind; se të ardhurat kishin shënuar rritje me 27 për qind; se investimet e huaja kishin kapur shifrën mbi 1 miliardë dollarë; se rritja e eksporteve ishte 2-shifrore; se edhe turizmi kishte rritje dy shifrore dhe se përgjatë vitit 2018 Shqipërinë e kanë vizituar 6 milionë vizitorë; por dhe se 97 për qind e shqiptarëve kishin përfituar nga ulja e taksave. Pra me një fjalë, lum si ne që jetojmë në Shqipëri.

Por këto shifra të sforcuara ishin mëse të pamjaftueshme. Në deklaratën finale të kongresit pa emër, u lanë shumë e shumë gjëra të tjera pa u thënë. Nuk u tha në kongres se 300 mijë shqiptarë ikën në këto gjashtë vjet dhe pas Sirisë jemi vendi me emigrimin më të madh në botë dhe se Shqipëria po i ngjan orës me rërë. Nuk u tha në kongres, as që kanabisi i vitit 2014-2016 ishte ekskluzivisht i qeverisjes së Partisë Socialiste dhe se tani sukses quhet se po kapet droga e magazinuar atë kohë, por pa e pranuar krimin më të madh që një qeveri ka bërë në tre dekada. Nuk u tha në këtë kongres, as që për frymë të popullsisë jemi konsumatorët më të mëdhenj të kokainës. Nuk u tha në këtë kongres që në këto gjashtë vjet, ushqimi që hamë është shumë më i pasigurt se më parë dhe se ish-ministri i Bujqësisë nuk ka thënë qoftë edhe një fjalë për këtë. Nuk u tha në këtë kongres se nuk ka një investitor serioz i huaj që të ketë ardhur në Shqipëri. Nuk u tha as se në vitin 2018, sipas “Transparency International, Shqipëria” ka zbritur tetë vende më poshtë në luftën ndaj korrupsionit në krahasim me një vit më parë. Nuk u tha në kongres se ishte premtuar që do shkarkohej çdo ministër, i cili përflitej, por në fakt edhe pas ndonjë shkarkimi të bërë, opinionit i thuhej se kanë shumë në detyrë dhe më pas i gradon si kryetarë komisionesh parlamentare apo ad-hoc.

Pas gjashtë vitesh në pushtet, Partia Socialiste nuk mund të mburret edhe për mënyrën e të bërit politikë, shumë ndryshe nga ajo që kishte premtuar kur ishte në opozitë. Vendi është në një krizë të thellë politike dhe në Kongres mbahej vetja sikur jeta vazhdonte e qetë. Në kongres nuk u bë asnjë përpjekje serioze për ta zgjidhur këtë krizë, por me deklarata ekstreme, opozita shpërfillej se qeveria mund të vazhdonte edhe pa të.

Shqipëria politike vërtet i ka zëvendësuar dy liderët e vjetër Fatos Nano dhe Sali Berisha, por i ka zëvendësuar ata me liderë edhe më sherrxhinj, si Edi Rama dhe Luzlim Basha. Politika e shpallur me frymë të re vazhdon të jetë konfliktuale dhe “unë jam i miri dhe ti i keqi” vazhdon të mbisundojë edhe pas tre dekadash.

Vetë Partia Socialiste është e përfshirë nga lufta e klaneve. Me mungesë të theksuar të demokracisë, ajo ka bërë hapa prapa dhe gara me një diferencë me 36 vota si ajo e Pandeli Majkos dhe e Fatos Nanos në vitin 1999 për kreun  e PS-së, tashmë kujtohej si të ishin për një parti në Hënë, ose në Mars. Këtë e tregoi edhe refuzimi që Fatos Nano i bëri ftesës së kongresit. Ironia është se ish-kryetarin Nano, që opinioni e cilësoi si të dëmshëm për këtë parti dhe Shqipërinë, nuk pajtohet me këtë mungesë demokracie që kjo parti ka.

E vetmja pikë që e ngriti entuziazmin e Partisë Socialiste ishte Erion Veliaj dhe bashkia e tij e Tiranës. Nuk e teproj të them se Veliaj dhe mbështetësit e tij janë parti brenda Partisë Socialiste. Dhe këtë e di shumë mirë edhe Edi Rama. Prej më shumë se një viti, thashethemnaja e përhapur për pasiguri të Veliajt si kandidat nuk ishte e kotë. Ajo synonte uljen e kuotave të tij, sepse ai krijoi një pol të fortë brenda partisë. Por në vend që kjo të shihej si një garë brenda saaj, është parë si një bezdi. Qëndrimi dhe mbështetja ndaj Veliajt vërtet qetësoi shumë socialistë, por ama ka lënë një shije të keqe në këtë parti përsa i përket konkurrencës. Sot Partinë Socialiste në qeveri nuk e përfaqësojnë as socialistët dhe madje as përfaqësues të Rilindjes. Një pjesë e ministrave nuk kanë qenë pjesë e strukturave dhe befas flasin për Partinë Socialiste. Për të mos thënë akoma, që të kuptosh situatën e kësaj partie shikoni se kush e mbron atë në studiot televizive. Janë servilë, puthadorë, lëpirës pushtetesh dhe njerëz pa asnjë vlerë morale dhe karakteri, që janë gati të japin edhe jetën për PS-në, por që në fakt nuk janë ata PS-ja. Në studio mungojnë deputetët dhe socialistët e vërtetë, pikërisht ata që e përfaqësojnë këtë parti. Mungesa e tyre tregon situatën që ndodhet kjo parti dhe kjo u duk edhe në kongres.

Në fakt, kishte edhe një lloj sinqeriteti në disa fjalime. Më shumë se një syresh përsëriti frazën se ky është “Kongresi i socialistëve” dhe një folës tjetër, “sepse ne jemi Partia Socialiste e Shqipërisë”. Kanë shumë të drejtë. Jo vetëm pushteti, por edhe rënia e tij është e Partisë Socialiste. Kjo u duk qartë në këtë kongres pa numër. Ishte kongresi i vazhdimësisë.

*Shkruar për AFP

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese