Kongresi i Partisë Socialiste do të zhvillohet më 19 mars të këtij viti, ku pritet të votohet edhe për zgjedhjen e kryetarit të saj. Lajmi është konfirmuar nga deputeti socialist Taulant Balla gjatë një dajle për mediat, pas përfundimit të takimit të kryetarit Edi Rama me koordinatorët e PS-së në selinë rozë.
Balla theksoi se në 90% të territorit të Shqipërisë kanë përfunduar zgjedhjet për kryetarët e organizatave, ndërsa në muajn shkurt do të votohet për delegatët e kongresit.
“Na rezulton një rritje e anëtarësisë në çdo organizatë. Në zona të caktuara të vendit kemi bërë një ristrukturim të të gjitha strukturave, siç është rasti i Lezhës. Kemi arritur që të jemi forca e vetme që do të kemi një regjistër online për të gjithë anëtarët, Me mbylljen e këtij procesi në 90% të territorit, PS ka përmbyllur zgjedhjet për kryetarët e organizatave. Në muajn shkurt jemi të gatshëm të nisim procesin e zgjedhjes së delegatëve për kongresin në 61 bashkitë e vendit dhe pas mbylljes së këtij procesi, më 19 mars është parashikuar të zhvillohet kongresi”, tha Balla.
I pyetur nëse shtyrja e kongresit për në muajn mars është shkelje e vendimit të Asamblesë Kombëtare të PS-së, Balla tha se ai proces nuk mund të zhvillohej pa u kryer zgjedhjet në organizata.