
Ish-drejtori i Policisë së Tiranës, Ardian Çipa është konfirmuar në detyrë. Vendimi për ish-kandidatin e Byrosë Kombëtare të Hetimit është marrë ditën e sotme nga Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit.
Me një karrierë të gjatë në policinë e Shtetit, Ardian Çipa iu nënshtrua filtrimit në kuadër të vettingut. Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit nuk evidentoi asnjë problem në tre kriteret e vlerësimit, duke e nxjerrë atë të pastër në kriterin e aftësive profesionale, në atë të pastërtisë së figurës dhe pasurisë.
Aktualisht Çipa mban postin e përgjegjësit në Departamentin e Drejtorisë së Formimit të Vazhdueshëm në Akademinë e Sigurisë, ndërsa më herët ka mbajtur pozicionin e drejtorit të Policisë së Tiranës, zv-drejtorit të Policisë së Shtetit, mbrojtjes së dëshmitarëve dhe në disa komisariate të kryeqytetit.