Presidenti i Shteteve të Bashkuara Donald Trump dhe homologu i tij rus, Vladimir Putin, kanë folur në telefon për herën e tretë, që prej kohës kur Trump u zgjodh president.
Biseda e zhvilluar më 2 maj ishte e para ndërmjet dy liderëve që kur SHBA kreu sulmin me raketa ndaj një baze ajrore siriane, në përgjigje të sulmit kimik ndaj civilëve të kryer nga forcat e qeverisë siriane.
Në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë është përshkruar si “bisedë e mirë”, ku dy liderët kanë biseduar për luftën në Siri, për “punën e përbashkët për të zhdukur terrorizmin në Lindjen e Mesme” dhe “për të zgjidhur më së miri situatën shumë të rrezishme në Korenë e Veriut”.
Shtëpia e Bardhë po ashtu ka njoftuar se Uashingtoni do të dërgojë përfaqësues në bisedimet e paqes për Sirisë, që do të mbahen më 3 dhe 4 maj në Astana të Kazakistanit.
Ndërkaq Kremlini ka thënë se dy liderët kanë koordinuar veprimet e të dyja shteteve në luftën kundër terrorizmit.