Kompozitori i njohur, Robert Radoja ka rrëfyer jetën e tij dhe përjetimet e dy sistemeve. Duke kujtuar fëmijërinë, ai ka treguar emrat dhe talentet që ai zbuloi.
“Kur mbarova shkollën, s’doja të ikja nga Tirana dhe qëndrova te Pallati i Kulturës”, tha Radoja, ndërsa tregon se mes emrave që zbuloi ishin: Irma Libohova, Suzana Frashëri, Elsa Lila, Inva Mula dhe Ermonela Jaho.
Përsa i takon artit në komunizëm dhe funksionit të tij propagandistik, Radoja u shpreh: “Filmat po, kishin propagandë por kishin edhe artistë të jashtëzakonshëm që luanin në to”.
Teksa u pyet për vitet 1970, kur shumë artistë ranë në burgjet e komunizmit, kompozitori tha se askohe të gjithë kishin frikë nga sistemi i diktaturës.
“Të gjithë kemi pasur frikë asokohe. Ata që thonë se ishin të lumtur, e kishin këtë frikë. Diktaturë do të thotë “të bësh si them unë”. Çdo sistem ka faqen e zezë, por art u bë. Jetonim me bukë me triske, por u hap teatri.
I pyetur për pengjet, Radoja u shpreh se është një “thes” që nuk mund ta hapë.
“Kemi jetuar më të bukurën e jetës dhe jam mirënjohës. Dikur kishte xhelozi dhe kritika ishte duartrokitja e atyre në rresht të parë. Nëse duartrokisnin ata e kishe kaluar, nëse jo, kishe probleme”, tha Radoja në News 24.