Hapësire reklamuese

Aktualitet

Kompania e Inceneratorit të Tiranës kërkon heqjen e sekuestros në Gjykatën e Lartë

Shkruar nga Newsbomb
Kompania e Inceneratorit të Tiranës kërkon heqjen e sekuestros

Aksionerët e Inceneratorit të Tiranës kanë kërkuar heqjen e sekuestros të vendosur nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Avokatët e kompanisë koncesionare kanë bërë rekurs në Gjykatën e Lartë ku dhe kanë kërkuar heqjen e sigurimit pasuror “sekuestro preventive”  për presion juridik  “Integrated Energy BV S.P.V” sh.p.k së bashku me të gjitha pasuritë e paluajtshme dhe të luajtshme në pronësi të tij.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, sekuestroi në korrik të këtij viti Inceneratorin e Tiranës. Sipas asaj që SPAK tha më herët gjatë hetimeve rezultoi se shtetasit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri janë pronarët  “de facto” të shoqërisë “Integrated Energy B.V SPV” sh.p.k, e cila ka fituar kontratën koncesionare “Ndërtim landfilli, Inceneratori dhe rehabilitimi i vendepozitimeve ekzistuese, Tiranë”, si dhe janë pronarët “de facto” të shoqërisë mëmë të saj, të themeluar në Hollandë, “Integrated Energy B.V”, ndryshuar më pas me emrin “Geogenix B.V”.

Pas këtij vendimi, kompania i kaloi në administrim Agjencisë së  Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara, në Ministrinë e Brendshme. Administratori Shtetëror, Arjan Baçi më herët u shpreh se janë disa bashki të  qarkut të Tiranës, të cilat nuk kanë shlyer detyrimet.

“Gjykata ka vendosur që për menaxhimin e kësaj kompania, të merret Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara, administrator jam zgjedhur un. Po vazhdon normalisht, po ndiqen të gjithë kontratat. Një problematike që pamë, është që bashkitë e qarkut janë akoma debitorë. Po bëhet muaji i 3 që nuk kanë shlyer detyrimet.

Kemi filluar duke i dërguar shkresat, për t’i vënë para përgjegjësisë se kemi një kontratë. Çmimi do të mbetet i njëjtë. Bashkia e Tiranës është prej bashkive që është debitore, po ashtu edhe e Vorës dhe disa të tjera”, u shpreh Baçi më 10 gusht të këtij viti.

Kjo nuk ështe tentativa e parë që aksionerët e kompanisë Integrated Energy kanë kërkuar heqjen e sekuestros, pasi më herët kanë bërë kërkesë edhe në Gjykatën e Apelit, mirëpo dhe kjo e fundit la në fuqi sekuestron dhe administrimin shtetëror të kompanisë duke e konsideruar vendimin e shkallës së parë si të drejtë dhe të mbështetur në prova. Tani avokatët e kompanisë po vazhdojnë "luftën" në Gjykatën e Lartë.

 

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese