Komiteti për Politikë miratoi sot raportin ku rekomandohet që Kosova të bëhet anëtare në KiE ndërsa çështja do diskutohet më 18 prill në Asamblenë Parlamentare dhe vendimin përfundimtar e merr Komiteti i Ministrave në muajin maj.
Reagime të shumta kanë ardhur nga liderët e politikës në Kosovë dhe në Shqipëri.
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani përshëndeti sot rekomandimin për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Ai u shpreh se ky hap i rëndësishëm vjen si rrjedhojë e angazhimit të vazhdueshëm të Kosovës në vlerat e demokracisë.
“Urime Kosovës për ftesën që ju bë nga Komiteti Politik i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për t’u bërë pjesë e Këshillit të Evropës. Ky hap i rëndësishëm vjen si rrjedhojë e angazhimit të vazhdueshëm të Kosovës në vlerat e demokracisë, të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit. Mbetemi në pritje që gjatë Sesionit të Prillit të Asamblesë Parlamentare të hapë rrugën për përfundimin e procesit të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës”, - u shpreh Hasani në një postim në platformën X.
Një reagim për këtë lajm të mirë ka ardhur dhe nga kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla.
“Kosova, një hap më pranë Këshillit të Evropës Komiteti për Çështje Politike dhe Demokraci i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës miratoi sot raportin dhe rekomandoi anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Në emër të Kuvendit të Shqipërisë, përshëndes këtë sukses të merituar të Kosovës dhe rikonfirmoj angazhimin tonë për të vijuar mbështetjen për Kosovën deri në anëtarësimin në KiE, në organizata të tjera ndërkombëtare, shtimin e njohjeve dhe rritjen e kontributit të Kosovës në marrëdhëniet dhe zhvillimet ndërkombëtare”, - shprehet Lindita Nikolla.
Komisioni për Politikë dhe Demokraci i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës miratoi sot me 31 vota pro, raportin e përgatitur nga Dora Bakoyannis që i hap rrugë anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.
Lexo edhe: Kosova bën hap drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës, lajm i mirë nga Parisi
Lexo edhe: Propozimi për anëtarësimin e Kosovës në KiE, Basha nga Parisi: Mirënjohje aleatëve!