Dritë në fund të tunelit. Pas një periudhe prej afro dy vitesh që Reforma Zgjedhora ka qenë e “ngrirë”, të premten 19 janar, ora 11:00 do të mblidhet Komisioni për Reformën Zgjedhore.
Në Komision do të marrin pjesë 18 anëtarë, nga të cilët 9 janë përfaqësues të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, 6 përfaqësues të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, 1 përfaqësues i Grupit Parlamentar Aleanca për Ndryshim, 1 përfaqësues i Grupit Parlamentar Demokraci dhe Integrim dhe një përfaqësues deputet i pavarur.
Deri më tani nga opozita kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre në Komision Enkelejd Alibeaj, Kreshnik Çollaku dhe Eralda Tase (anëtare zëvendësuese e PD në Komision), deputetë këta të gjithë të grupuar krah Lulzim Bashës.
Pjesa tjetër e deputetëve nga opozita, Oerd Bylykbashi, Dashnor Sula, Fatmir Mediu, Shpëtim Idrizi, Linda Metaliaj dhe Petrit Vasili nuk kanë konfirmuar ende pjesëmarrjen e tyre në Komision.
Në listën e miratuar një vit më parë për pjesëmarrësit në Komision është edhe emri i ish-deputetes demokrate, Grida Duma, e cila me sa duket do të zevendësohet nga Eralda Bano e listuar në emrin e anëtarëve zëvendësues në Komsiionin për Reformën Zgjedhore. Theksojmë se nuk ka ende një njoftim zyrtar se nga cili deputet do të zëvendësohet Grida Duma.