
Komisioni Hetimor për koncesionet në Shëndetësi ka nisur seancën e parë këtë të hënë, datë 25 Mars, me debate dhe akuza mes anëtarëve socialistë dhe atyre demokratë. Ka qenë një parantezë e kryetares Albana Vokshi që ka nxitur reagimin e socialistëve.
Ajo i konsideroi dy koncesionet që do të hetohen, atë të Sterilizimit dhe të Check Up si afera dhe skandale që u kanë kushtuar shtrenjtë taksapaguesve shqiptarë, madje dhe për shërbime që nuk ofrohen.
Plarent Ndreca: Nëse vijojmë me deklarata politike, ndërkohë që ne jemi këtu për të kryer një proces të rregullt ligjor, atëherë e kemi nisur me këmbë jo të mbarë punën. Ju lutem, respektoni parimet kushtetuese. Unë konstatoj, që ne nuk e kemi vendimin e zbardhur të seancës plenare, ndaj nuk e di sa do ishte e mundur që ne të vazhdojmë më tutje. Unë mendoj se do ishte korrekte të kishim një vendim të zbardhur.
Sipas asaj që deklaroi nënkryetari socialist i këtij komisioni hetimor, vendimi i zbardhur do të legjitimonte të gjithë procesin dhe punën e tyre.
Albana Vokshi: Ne besojmë dhe shpresojmë që të gjithë deputetët e këtij komisioni do ngrihen në lartësinë e besimit që u ka dhënë populli, për të zbardhur dy afera dhe skandale, në gjykimin jo vetëm tonin.
Kur unë fola në pjesën e parë se përse është ngritur ky komision, sqarova kërkesën e deputetëve të opozitës, atë që ne gjykojmë se përbën një nga skandalet që ndikon në shëndetin e qytetarëve. Jam shpresëplot se ne do të mund të bëjmë transsparencë përpara publikut dhe do të zbardhim këto afera.
Edhe anëtarja demokrate e këtij komisioni, deputetja Ina Zhupa tha se ata nuk e kishin paragjykuar në asnjë moment procesin, thjesht kishin parashtruar atë që kanë kërkuar dhe zyrtarisht në kërkesën e tyre për hetimin parlamentar.
Ina Zhupa: Ne nuk kemi paragjykuar asgjë. Sipas KLSH, nga viti 2015-2018 janë 930 milionë lekë vetëm për shërbime të pakryera për check up. Tashmë kjo shumë është katërfishuar dhe ne duhet të hetojmë, sepse janë paratë e taksapaguesve shqiptarë.
Debati vijoi dhe më pas mes kryetares Albana Vokshi dhe nënkryetarit Plarent Ndreca, me këtë të fundit që kërcënoi se edhe mund të largohej nga komisioni hetimor, për shkak se sipas tij ishte në shkelje të procedurave ligjore për veprimtarinë e tij.
Ndreca: Zonja kryetare, dua t’iu kujtoj edhe njëherë tjetër, pavarësisht se po tregoj respekt për procedurën, por bazuar në nenin 10 të ligjit për Komisionet Hetimore, ky komision bashkëdrejtohet. Që ta keni të qartë këtë gjë, prandaj unë e marr fjalën. Megjithatë ju jeni spiker, jeni spiker në këtë Komision.
Vokshi: Më fal, Jo, jo..
Ndreca: Nuk e kisha në kuptim negativ të fjalës, e kisha në kuptimin pozitiv.
Vokshi: Më vjen keq se po dizinformon publikun.
Ndreca: Duro. A mund të mbaroj fjalën time? Durim, durim...
Vokshi: Ka një kryetar Komisoni dhe në mungesë të kryetarit drejton zv.kryetari.
Ndreca: A mund ta mbaroj fjalën time? A mund ta mbaroj fjalën time?
Vokshi: Nuk mund të devijoni nga e vërteta.
Ndreca: Pse ndërhyni? A mund ta mbaroj fjalën time? A mund ta mbaroj fjalën time?
Vokshi: Jo, jo. Lexojeni deri në fund nenin.
Ndreca: Se si e lexoj apo komunikoj unë nenin është përgjegjësia ime, jo e jotja. Mos më ndërprisni.
Vokshi: Zoti Ndreca, e kuptoj detyrën e vështirë që iu kanë dhënë, por futuni në thelb.
Ndreca: Mos më ndërprisni. Nëse vazhdoni kështu, atëherë unë e kam shumë të thjeshtë vendimmarrjen. Unë nuk marr pjesë në kështu lloj komisionesh, të cilat shkelin haptas procedurën.