Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Politikë

Komisioni hetimor nis me paligjshmëri, por anëtarët bien dakord të vazhdojnë punën

Shkruar nga Newsbomb
Komisioni hetimor nis me paligjshmëri, por anëtarët bien dakord

Komisioni Hetimor parlamentar për koncesionet në Shëndetësi ka nisur zyrtarisht punën këtë të hënë, por nga çfarë deklaruan vetë anëtarët socialistë dhe demokratë, janë të paktën dy raste në të cilat komisioni vepron në paligjshmëri.

Rasti i parë, siç evidentoi vetë nënkryetari socialist i komisionit hetimor, Plarent Ndreca dhe të tjerët që folën pas tij, lidhet me procedurën e konstituimit të këtij komisioni.

"Unë konstatoj, që ne nuk e kemi vendimin e zbardhur të seancës plenare, ndaj nuk e di sa do ishte e mundur që ne të vazhdojmë më tutje. Unë mendoj se do ishte korrekte të kishim një vendim të zbardhur", u shpreh Ndreca, duke kërkuar dhe zgjedhjen e një sekretari të komisionit dhe dy ekspertë për planin e hetimit.

Procedurialisht, vendimi i zbardhur i seancës plenare për ngritjen e komisionit hetimor parlamentar është shumë i rëndësishëm për konstituimin e tij, ndërsa zgjedhja e sekretarit ndihmon në mbjatjen e shënimeve dhe gjithë procedurës së komisionit, kurse ekspertët hartojnë një plan pune se ku duhet të bazohet hetimi parlamentar.

Socialistët kanë propozuar emërimin e deputetit Klevis Xhoxhi si sekretar të komisionit dhe pas votimit, ai është pranuar dhe nga anëtarët demokratë.

Pas diskutimeve, palët ranë dakord që të vazhdojnë me mirëkuptim punën edhe pa vendimin e zbardhur të konsituimit të komisionit. Megjithatë, anëtarja demokrate Ina Zhupa ngriti dhe një çështje tjetër, e cila nëse rezulton e vërtetë është po ashtu një paligjshmëri.

Lexo edhe: Komisioni i Shëndetësisë nis me debate, anëtarët socialistë akuza për propagandë partiake, Ndreca kërcënon të largohet

Përsa i përket rastit të dytë, ajo deklaroi se nënkryetari Plarent Ndreca mund të jetë në kushtet e konfliktit të interesit me punimet e këtij komisioni, sepse ka qenë avokat i një prej personave të akuzuar për koncesionin e Sterilizimit, i cili është gjithashtu objekt i komisionit.

"Ti drejtohemi SPAK nëse zoti Ndreca ka qenë ndonjëherë avokat i personave të akuzuar për sterilizimin. Pastaj të vazhdojmë procesin. Partia Socialiste ka mjaft resurse, sepse bëhet fjalë për seriozitetin e një hetimi. Mos të krijojmë cene siç është konflikti interesit", u shpreh Ina Zhupa.

Ndërkohë, menjëherë fjalën e mori më pas vetë Ndreca i cili tha se ka qenë avokat i personit që aludoi kolegia demokrate, por nuk e tha emrin, duke siguruar se ai person nuk ka lidhje me punimet e këtij komisioni ndaj nuk është në kushtet e konfliktit të interesit.

"Nuk e kuptoj insistimin tuaj mbi prezencën time në komision. Duket që keni një merak me mua. Ty duhet ta marri mendja se profesionalisht jam shumë më i aftë se ty për ta kuptuar këtë gjë. Vetëm nga ty nuk mund ta pres këtë gjë.

Kam qenë avokat jo vetëm i atij që po thua ti, por dhe i disa të tjerëve andej nga ana juaj. Por nuk ka asnjë lidhje me këtë rast", u shpreh Plarent Ndreca, nënkryetari socialist i komisionit hetimor.

© Newsbomb.al

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese