Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Aktualitet

Komisioni Evropian flet me superlativa për ecurinë e Shqipërisë në digjitalizimin e shërbimeve

Shkruar nga Newsbomb
Komisioni Evropian flet me superlativa për ecurinë e

Shqipëria ka marrë vlerësimin maksimal nga Komisioni Europian përsa i përket procesit të digjitalizimit të shërbimeve. Vlerësimi erdhi në fund të një takimi dypalësh të kapitullit 3 mbi “Të drejtën e vendosjes dhe lirinë e ofrimit të shërbimeve” midis Brukselit dhe Shqipërisë, në kuadër të negociatave për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Europian. Madje Komisioni Evropian shkoi deri aty sa të komentonte se edhe brenda BE-së ka vende të cilat duhet të ndjekin shembullin e avancimit të Shqipërisë në këtë drejtim.

Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit ishte pjesë e takimit, ku e-Albania, si pikë e vetme e kontaktit që qytetarët dhe bizneset kanë me institucionet publike në vend dhe revolucioni digjital, që prej vitesh është kthyer në lajtmotiv të punës së qeverisë, ishte në fokus të prezantimit të palës shqiptare në këtë takim bilateral me shërbimet e BE-së.

Romina Kostani, drejtore e Inovacionit dhe Promovimit e-Gov, bëri më dije zhvillimet që ka njohur Shqipëria në kuadër të digjitalizimit, në mënyrë specifike me shërbimet elektronike të e-Albanias, ndërsa theksoi se me mbylljen e përfundimtare të sporteleve fizike nga maji i vitit të kaluar, jo vetëm është kursyer kohë dhe para, por është evituar fenomeni i korrupsionit, kurse standardi i komunikimit mes zyrave të shtetit dhe qytetarëve është rritur ndjeshëm.

“Sot e-Albania ka 1227 shërbime publike elektronike, 756 prej të cilave mundësohen edhe për biznesin. 83 institucione publike ofrojnë shërbimet e tyre përmes pikës së vetme të kontaktit e-Albania, falë Platformës Qeveritare të Ndërveprimit ku ndërthuren në kohë reale 58 sisteme elektronike. Janë mbi 2.8 milionë përdorues të regjistruar, nga ku 220 mijë janë biznese vendase dhe të huaja”, u shpreh Kostani.

Nga 2017 deri më sot, janë gjeneruar mbi 25 milionë dokumente të pajisur me vulë elektronike, në përputhje me standardet e BE-së, fakt që e çon Shqipërinë edhe një hap më pranë familjes europiane.

“Me anë të dokumenteve të vulosura apo nënshkruara elektronikisht, kemi kuryser 66 milionë euro dhe plot 65 milionë euro tjera falë aplikimeve online. Përmes e-Albania, mundësohet aplikimi për leje,  licenca dhe për njohjen e diplomave. 9 milionë euro të tjera janë kursyer përmes evitimit të tarifave të shërbimeve që tashmë ofrohen pa pagesë në e-Albania, ndërsa u eliminuan 990 vite pritje në radhë për marrjen e dokumenteve shtetërore me vulë elektronike”, theksoi Kostani.

Bizneseve, – shtoi më tej përfaqësuesja e AKSHI-t, – revolucioni digjital, u mundësoi reduktimin e kostove, thjeshtëzimin e procedurave burokratike, si dhe marrjen e një shërbimi transparent dhe dinjitoz publik.

Në të ardhmen e afërt, për portalin e-Albania është planifikuar një riorganizim të shërbimeve, bazuar në modelin e ngjarjeve të jetës, si dhe do të mundësohet aksesueshmëri universale nga personat me nevoja të veçanta duke e përafruar edhe më shumë me standardet e portaleve qeveritare simotra të BE-së.

Portali e-Albania me zhvillimet, arritjet dhe funksionalitet e tij ka qenë pjesë e vazhdueshme dhe e rëndësishme e prezantimeve të palës shqiptare në Bruksel, pasi, në të, përmblidhet e gjithë puna e përpjekja e qeverisë dhe institucioneve shqiptare në fushën e digjitalizimit.

 

Lexo gjithashtu

Sondazh

Poll