Tirana
moderate rain
18.5 ° C
18.5 °
18.5 °
82 %
3.1kmh
100 %
Hën
18 °
Mar
21 °
Mër
24 °
Enj
21 °
Pre
27 °
E hënë, 26 Shtator, 2022

Komisionerja rrëzon ankimimin e kolegut në vetting, kërkon konfirmimin në detyrë të kryetares së Gjykatës së Posaçme

spot_img

Lajme të ngjashëm

Komisionerja publike, Irena Nino rrëzoi të martën gjatë konkluzioneve përfundimtare shkaqet e ankimit të paraardhësit të saj, Darjel Sina ndaj konfirmimit në detyrë të kryetares së Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë, Irena Gjoka.

Nino u tërhoq edhe nga qëndrimi i saj i mbajtur në seancën e 27 majit, kur kërkoi shkarkimin nga detyra të gjyqtares Gjoka për ‘deklarim të pasaktë dhe të pamjaftueshëm për pasuritë si dhe për mungesë burimesh në krijimin e tyre’.

Në përfundim të konkluzioneve të saj, komisionerja Nino tha se bazuar në provat e reja të paraqitura në Kolegj nga subjekti, rezulton se kjo e fundit “ka arritur nivel të besueshëm për pasurinë”. Ajo kërkoi lënien në fuqi të vendimit të konfirmimit për gjyqtaren Gjoka.

Gjyqtarja Irena Gjoka e konsideroi gjithashtu të pabazuar ankimin e Komisionerit Publik nëpërmjet përfaqësueses së saj ligjore, Romina Zano. Gjatë konkluzioneve përfundimtare, ajo kërkoi lënien në fuqi të vendimit të konfirmimit.

Kryetarja e Gjykatës së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, Irena Gjoka u konfirmua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në shkurt të vitit 2020. Sipas vendimit të KPK-së, pasaktësitë, mospërputhjet në deklarime dhe një balancë e vogël negative në analizën financiare nuk u konsideruan penalizuese.

Gjoka u vlerësua pozitivisht për pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin. Vendimi për Gjokën u ankimua nga ish-Komisioneri Publik, Darjel Sina për probleme në kriterin e pasurisë.

Gjatë konkluzioneve përfundimtare të martën, komisionerja Nino renditi shkaqet e ngritura në ankimin e Sinës si dhe pretendimet e gjyqtares Gjoka në mënyrë të përmbledhur për secilin shkak dhe pasuri të marrë në shqyrtim, por nuk paraqiti arsyetim lidhur me ndryshimin e qëndrimit. Në mënyrë të përsëritur, komisionerja vërejti se qëndrimi i subjektit të rivlerësimit për gjashtë shkaqe të ndryshme të ngritura nga Komisioneri, ishte i njëjtë.

Sipas Ninos, në ankimin e Sinës është vlerësuar se dokumentacioni i paraqitur nga subjekti gjatë hetimit në Komision për justifikimin e ligjshmërisë së burimit të të ardhurave që kanë shërbyer për blerjen e një apartamenti në Tiranë me sipërfaqe 71 m2, nuk mund të konsiderohet i plotë dhe se subjekti ka kryer deklarim të pasaktë e të pamjaftueshëm. Si burim për krijimin e kësaj pasurie, Gjoka ka deklaruar një hua nga vëllai në shumën 2 milionë lekë dhe kursimet nga pagat ndër vite.

Sipas Ninos, gjyqtarja Gjoka ka mbajtur të njëjtin qëndrim në lidhje me mënyrën e deklarimeve të kursimeve cash në vitet 2004 dhe 2005, si dhe me disponimin e të ardhurave të mjaftueshme të ligjshme me burim nga paga.

Komisionerja shtoi se për mospasqyrimin në deklaratën “veting” të kursimeve në shumën 15 mijë euro të vitit 2005, subjekti ka pretenduar se nuk mund të konsiderohet si pasaktësi për sa kohë janë deklaruar si burim për apartamentin të ardhurat nga pagat.

“Subjekti mbajti të njëjtin qëndrim edhe në lidhje me faktin se shuma prej 15 mijë euro është në të vërtetë shuma 1.7 milionë lekë që ka si burim shumat e tërhequra në tetor të vitit 2005 nga një depozitë, tërhequr një ditë përpara blerjes së apartamentit,” deklaroi Nino. Po ashtu, ajo paraqiti pretendimet e Gjokës se nuk ka mospërputhje mes deklarimeve, pasi e njëjta shumë e kursyer nga paga ka pësuar transformime të ndryshme dhe se subjekti i rivlerësimit është përpjekur të përshkruajë gjithçka, edhe burimin e krijimit.

Për burimin tjetër të apartamentit, depozitën në shumën 23 mijë USD, Nino vërejti se subjekti ka pretenduar se deklarimet kontradikore janë pasojë e mungesës së njohurive në plotësimin e këtyre deklaratave dhe se burimi i kësaj depozite ishin të ardhurat nga puna ndër vite, qysh prej vitit 1993 kur bashkëjetonte me prindërit në kushtet e një ekonomie të përbashkët familjare.

Nino paraqiti po ashtu pretendimet e subjektit në parashtrime se, në analizën e burimeve të depozitës 23 mijë USD duhet të rishikohen të ardhurat familjare; të përfshihen në analizë të ardhurat e babait nga shitja e një ngastre toke; ato nga bujqësia; të ulen shpenzimet e jetesës; si dhe të moskonsiderohen  shpenzimet e të vëllait për blerjen e një apartamenti.

Për burimin tjetër që ka shërbyer për blerjen e apartamentit, huanë 2 milionë lekë të marrë nga vëllai, Nino vërejti se subjekti ka pretenduar se kjo shumë është krijuar nga të ardhurat nga emigracioni dhe nga bujqësia. Sipas Ninos, gjyqtarja Gjoka paraqiti akte dhe prova të reja mbi mundësinë financiare të familjarëve për të mbuluar me burime të ligjshme shumat e përdorura për blerjen e apartamentit.

Po ashtu, Nino paraqiti në konkluzione shkaqet e ankimit dhe pretendimet e subjektit edhe lidhur me mospasqyrimin në deklaratën veting të pjesës takuese në një apartament në qytetin e Patosit, të përfituar nga privatizimi; për një apartament me sipërfaqe 66 m2 në Tiranë të blerë nga bashkëshorti i Gjokës; për dy garazhe me sipërfaqe 14 m2 secili po në Tiranë; për dy autovetura tip Benz; dy transaksione në shumat 12 mijë euro dhe 10 mijë euro në llogarinë e bashkëshortit të subjektit; si dhe për dy hua të dhëna nga ky i fundit.

“Komisioneri Publik, në kushtet kur hetimi është shterues dhe i gjithanshëm, bazuar edhe në provat e reja të paraqitura nga ana e subjektit të rivlerësimit pranë Kolegjit, vlerëson se subjekti i rivlerësimit arrin në nivel të besueshëm lidhur me kriterin e pasurisë dhe, në përfundim, i kërkon këtij Kolegji lënien në fuqi të vendimit nr. 241/2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, znj. Irena Gjoka”, deklaroi komisjonerja Nino.

Avokatja Romina Zano paraqiti konkluzionet përfundimtare për secilin shkak të ngritur në ankimin e komisonerit Sina në kriterin e pasurisë. Ngjashëm si gjatë parashtrimeve, Zano kundërshtoi gjithë shkaqet duke deklaruar se subjekti kishte vërtetuar burimin e ligjshëm të krijimit të çdo pasurie që zotëron.

Sipas konkluzioneve të subjektit, provat e dorëzuara gjatë hetimit administrativ, si dhe dokumentet e reja lidhur me të ardhurat nga ullishtja e babait dhe e vëllait; të ardhurat e këtij të fundit nga emigracioni; nga dhënia me qira e objekteve nga i ati dhe nga bashkëshorti; si dhe dokumentet shkresore të bankave, vërtetojnë se pasuritë që zotëron janë krijuar me burime të ligjshme.

“Nga tërësia e gjithë hetimit mendoj se nuk ka asnjë indicie minimale për përfshirjen në veprimtari të paligjshme apo të papajtueshme me detyrën. Kam shpjeguar bindshëm burimin e ligjshëm të pasurisë dhe në asnjë rast nuk jam përpjekur të fsheh apo të paraqes në mënyrë të pasaktë pasuritë që kam në pronësi,” deklaroi gjyqtarj Irena Gjoka dhe solli në vëmendje se gjithë pasuria e saj përbëhet nga një apartamet, një garazh dhe një autoveturë.

Në vijim, Gjoka vërejti se KPK ka konkluduar se ajo ka treguar aftësi të mira profesionale. “Edhe pranë Kolegjit nuk pati asnjë denoncim nga publiku përgjatë shqyrtimit të çështjes publike”, pohoi Gjoka dhe kërkoi lënien në fuqi të vendimit.  KPA njoftoi se vendimi do të shpallet më 14 qershor, në orën 09:00. /Birn

Më shumë


spot_img
spot_img
spot_img