Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Aktualitet

Komisioneri Publik kërkon shkarkimin në vetting të prokurores Mirela Zavalani

Shkruar nga Newsbomb
Komisioneri Publik kërkon shkarkimin në vetting të prokurores

Komisionerja Publike, Irena Nino ankimoi të enjten më 27 korrik vendimmarrjen Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për konfirmimin në detyrë të prokurores Mirela Zavalani.

Sipas Ninos, vendimi i Komisionit nuk është në pajtueshmëri të plotë me gjendjen e fakteve dhe provave të administruar në fashikull, për krijimin e bindjes se subjekti i rivlerësimit arrin nivel të besueshëm të vlerësimit të pasurisë.

Ajo i kërkon Kolegjit që ta marrë në shqyrtim shkaqet e ngritura në kriterin pasuror dhe në fund të vendosë në mënyrë alternative, për ndryshimin ose lënien në fuqi të vendimit të KPK-së.

Mrela Zavalani u konfirmua në detyrë më 15 qershor, pas një seance dëgjimore ku u evidentuan më së shumti gjetjet për pasurinë e vjehrrit të saj dhe ndarja e qirasë së paguar nga kunati në një objekt në pronësi familjare – midis bashkëshortit të saj dhe babait të tij.

Mirela Zavalani e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1999 si oficere e policisë gjyqësore. Ajo u emërua prokurore në vitin 2007 dhe ka punuar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë deri në vitin 2012. Prej më shumë se një dekade, ajo e ushtron funksionin në Prokurorinë e Tiranës.

Bashkëshorti i subjektit ka pasqyruar në deklaratën veting pasurinë supermarket tregtim pjesë këmbimi + servis auto + godinë banimi”, me sipërfaqe totale 634 m2, me vendndodhje Patos, Fier, në bashkëpronësi të tij dhe të babait të tij me pjesë takuese 50%, me burim krijimi nga të ardhurat nga puna e prindërve dhe nga shitja e apartamentit të mëparshëm.

Komisioni ka konstatuar kontradikta mes dy deklaratave të prindërve të bashkëshortit lidhur me këtë pasuri, por ka konkluduar se kjo situatë nuk sillte ndonjë pasojë, pasi mbeteshin në një nivel deklarativ. Ndërsa pamjaftueshmëria financiare e konstatuar për vitet 2004-2006 në shumën rreth 1.3 milionë është çmuar si fakt të pamjaftueshëm që të penalizuar prokuroren Zavalani.

Ndërsa Komisionerja Nino vlerëson se si pasojë e deklarimeve kontradiktore të subjektit të rivlerësimit, në raport me përmbajtjen e akteve të administruara, deklarimi i pasurisë gjendet i pasaktë dhe jo i besueshëm. Sipas saj, këto rrethana krijojnë pamundësi për të verifikuar se cilat ndër versionet e deklaruara nga ana e Zavalanit apo përmbajtja e akteve të paraqitura prej saj, pasqyrojnë situatën e vërtetë faktike në krijimin e pasurisë, periudhën e ndërtimit, vlerën e investimit, si dhe ligjshmërinë e burimit të të ardhurave të përdorura.

Nino shprehet se Institucioni i Komisionerëve Publikë gjendet në pamundësi objektive për të kontrolluar ligjshmërinë e burimeve të krijimit të kësaj pasurie dhe i kërkon Kolegjit të rivlerësojë aktet e administruara në drejtim të arritjes së një konkluzioni të drejtë mbi besueshmërinë e subjektit në kontrollin e kriterit të pasurisë.

Sipas Komisioneres, përveç sa është konstatuar nga Komisioni mbi pamjaftueshmërinë financiare gjatë periudhës 2004-2007, duhen rishikuar edhe zërat e tjerë, si llogaritjet e Komisionit mbi shpenzimet e jetesës së subjektit dhe personave të lidhur me të, si dhe të ardhurat nga qiraja prej aktivitetit privat.

Si burime krijimi për një apartament me sipërfaqe 78.6 m2 në Tiranë, të blerë në vitin 2007 për çmimin 3 milion e 144 mijë lekë, subjekti ka deklaruar të ardhurat nga pagat e saj si oficere e policisë gjyqësore dhe të ardhurat nga pagat e bashkëshortit; bursa nga Shkolla e Magjistraturës; si dhe të ardhurat nga dyqani tregtim – pjesë këmbimi. Ndërsa në deklaratën përpara fillimit të detyrës ka deklaruar kursime në masën 1 milion lekë; të ardhurat nga supermarket pjesë këmbimi 1.5 milionë lekë dhe dhuratë nga prindërit e bashkëshortit në shumën 700 mijë lekë.

Mospërputhjet janë konsideruar nga Komisioni si pasaktësi që nuk mund të sillte pasoja, pasi nuk janë shoqëruar me mungesa financiaere.

Ndërsa Komisionerja Publike çmon se pasaktësitë e vërejtura në deklarime duhen vlerësuar në raport me analizën e përgjithshme të vlerësimit të kriterit të pasurisë.

“Aktet e administruara gjatë hetimit administrativ, deklarimet dhe shpjegimet kontradiktore të subjektit të rivlerësimit gjatë procesit të rivlerësimit, janë të dhëna që krijojnë mospërputhje dhe paqartësi për sa i përket burimit real të krijimit të pasurisë. Kjo mënyrë deklarimi ndikon edhe në kontrollin e plotë dhe të saktë të ligjshmërisë së burimeve të krijimit të pasurisë, duke bërë që sjellja e subjektit në këtë rast, në raport me kontrollin e kriterit të pasurisë, të mos arrijë nivelin e besueshëm”, shprehet Nino dhe i kërkon Kolegjit të rivlerësojë saktësinë dhe vërtetësinë e deklarimit të subjektit lidhur me burimet e ligjshme të një depozite bankare, e deklaruar si një nga burimet e përdorura për blerjen e apartamentit në Tiranë.

Po ashtu, ndryshe nga sa ka vlerësuar KPK, Nino vëren se rezultojnë deklarime kontradiktore të subjektit të rivlerësimit dhe personit të lidhur me të, për të ardhurat e deklaruara nga supermarketi, të cilat kanë shërbyer si burim krijimi jo vetëm për pasuritë e paluajtshme, por edhe në vijim për mbulimin e shpenzimeve dhe krijimin e kursimeve.

“Komisioneri Publik çmon se deklarimet kontradiktore të subjektit janë të tilla që në gjendjen që paraqiten aktet e administruara, nuk mundësojnë kalimin e nivelit të besueshmërisë dhe pranueshmërisë së këtyre të ardhurave, duke rezultuar në pamjaftueshmëri të ndjeshme financiare dhe duke vënë në diskutim kështu, edhe aplikimin e parimit të proporcionalitetit dhe objektivitetit…”, citohet në ankim ku theksohet se mbetet i nevojshëm rivlerësimi nga ana e Kolegjit i fakteve të administruara lidhur me pasurinë.

Po ashtu, Komisionerja vëren se subjekti nuk është pyetur mbi qëllimin apo burimin e disa shumave në monedhën USD të derdhura cash nga bashkëshorti në lloagrinë e tij, që në total arrijnë vlerën 59 USD. Nino konstaton se këto shuma janë transferuar në favor të vëllait të bashkëhsortit të subjektit.

Ajo vlerëson se përfshirja e këtyre transaksioneve në analizën financiare, do të ndikonte drejtpërsëdrejti në pamjaftueshmërinë financiare të burimeve të ligjshme të tyre, me ndikim domethënës në rezultatet financiare të analizës së viteve respektive. /Birn

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese