Hapësire reklamuese

Aktualitet

Komisioneri Publik ankimon vendimin e KPK për gjyqtaren Marinela Osmani

Shkruar nga Newsbomb
Komisioneri Publik ankimon vendimin e KPK për gjyqtaren Marinela Osmani

Komisioneri Publik, Florian Ballhysa njoftoi të premten se ka kryer ankim kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK për konfirmimin në detyrë të gjyqtares Marinela Osmani(Nuni), duke kërkuar lënien në fuqi ose ndryshimin e vendimit.

Ankimi i Komisionit vjen pas rekomandimit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, ONM që kërkoi dërgimin e çështjes për interpretim në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, KPA, duke e konsideruar identike me atë të bashkëshortit të saj, prokurorit Gentian Osmani, për të cilin e vendos shkarkimi në shkallën e dytë për deklarim të pamjaftueshëm të pasurisë në dy vite.

Ballhysa pasqyron rekomandimin e ONM, ku ndër te tjera kërkohet që çështja të shqyrtohet nga Kolegji me qëllim që të vlerësohet nëse zgjidhja do të jetë e ndryshme nga ajo e bashkëshortit, duke dhënë arsyetim për dallimin dhe për të siguruar parime udhëzuese për raste të tjera të ngjashme.

Komisioneri sjell në vëmendje edhe argumentimin e dhënë nga Kolegji për të përjashtuar gjyqtaren Osmani nga ndikimi i vendimmarrjes për bashkëshortin e saj. “Vendimi i dhënë në këtë rast nuk do të afektojë drejtësinë dhe objektivitetin e procesit të rivlerësimit, të cilin bashkëshortja e subjektit ka të drejtë ta ketë, bazuar vetëm në provat që i përkasin çështjes së saj dhe në zbatim të parimit të objektivitetit dhe të proporcionalitetit”, citohet në vendimin për prokurorin Osmani.

Ballhysa konstaton se, pavarësisht këtij argumenti, Kolegji nuk rezulton që të ketë dhënë orientime për zgjidhjen e çështjeve të ngjashme.

Gjyqtarja Marinela Osmani, e cila punon aktualisht si këshilltare ligjore në Këshillin e Lartë Gjyqësor u konfirmua në detyrë më 11 prill 2021 nga trupa gjyqësore e udhëhequr nga Etleda Çiftja, me relatore Brunilda Bekteshin dhe anëtare Suela Zhegun.

Gjatë procesit të saj, gjyqtarja Osmani kërkoi që të mos gjykohej për së dyti për disbalancat që sollën shkarkimin e bashkëshortit të saj, duke e konsideruar këtë një masë disporpocionale.

Komisioni argumentoi se në vlerësimin e provave dhe bindjen e brendshme, gjyqtarja Marinela Osmani ka deklaruar me saktësi pasurinë dhe se është krijuar me burime të ligjshme. Ndërkohë, ajo u vlerësua pozitivisht për pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin.

Sipas KPK, në vlerësim të rrethanave të çështjes në tërësi, nuk mund të aplikohet e njëjta masë disiplinore si ajo e bashkëshortit, pasi nuk do të ishte as proporcional dhe as objektiv./BIRN

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu