Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale ka nisur hetimet për publikimin e një databaze me të dhënat e qytetarëve të Tiranës, të cilat pretendohet se administrohen nga PS-ja dhe janë marrë nga institucionet qeveritare.
Redi Skënderaj, zëdhënës i Zyrës së Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, ka thënë sot se sapo janë njohur me këtë lajm, kanë nisur verifikimet dhe hetimet, pasi të dhënat e qytetarëve mbrohen nga ligji dhe janë private.
Databaza e shpërndarë në media kishte të dhëna konfidenciale të qytetarëve të Tiranës, si numër telefoni, numër ID, ditëlindja, emër dhe mbiemër, atësia, si dhe preferencën politike.
Madje, Skënderaj deklaroi se prej 1 janarit 2021 në këtë zyrë janë bërë 2 ankesa nga qytetarët, me objekt thirrjet e pakërkuara nga partitë politike. Sipas zëdhënësit të Zyrës së Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, për të dyja rastet po ndiqen procedurat që përcakton ligji dhe vendimmarrja do të jetë publike.
Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale nis hetimet për “databazën e votuesve”, qytetarët ankesa edhe për telefonatat nga partitë
