Nënkryetari i LSI Petrit Vasili në një deklaratë për mediat pak më parë, ka sqaruar se çdo problem me komisionerët e kësaj force politike është zgjidhur dhe ata janë në krye të detyrës.
Vasili sqaroi dhe një problem në Elbasan, ku procesi i votimit nisi me disa minuta vonesë pasi një nga komisionerët e LSI nuk ishte paraqitur në detyrë. Tahsmë situata është zgjidhur. Sipas nënkryetarit, problemi nuk ishte i komisionerit por i KZAZ-së.
“Të gjithë administratorët e LSI anë e mbanë vendit janë në krye të detyrës. Dua të informojë opinionin publik, që edhe ndonjë problem i informuar gabim lidhur me një qendër votimi në Elbasan, ishte një problem që s’kishte lidhje me LSI, por me administrimin nga qendra e votimit. U bëj thirrje KZAZ-ve të jenë sa më të shpejta në lidhje me vendimmarrjen sepse fluksi i njerëzve është impresionues”, tha ai.
Më tej, Petrit Vasili bëri thirrje për pjesëmarrje të qytetarëve në votime.
“Kemi një proces të gjerë që ka filluar pozitivisht. I qetë në të gjithë vendin. Kështu duhet të vazhdojë. Pjesëmarrja e qytetarëve është e lartë. Iu bëjmë thirrje qytetarëve të marrin pjesë në votime. Çdo problem dhe çështje është zgjidhur”, u shpreh ai.
Komisionerët e LSI nuk shkuan në Qendrat e votimit, Petrit Vasili në deklaratë: Çdo problem është zgjidhur, të gjithë janë në krye të detyrës

