Hapësire reklamuese

OpEd

KOMENT/ Vendimi i gjykatës për dhunë, pse u habitën në Top Channel për Klodian Duron?

Shkruar nga Newsbomb
KOMENT/ Vendimi i gjykatës për dhunë, pse u habitën në

Nga Retin TOKA

U trumbetua me të madhe. U duk si ato trofetë e rëndësishëm që fitohen pas çdo kompeticioni ku gara është reale dhe jo fiktive. Hyrja e Klodian Duros në Big Brother VIP ishte mundësi e mirë për të treguar vlerat e tij. Por, padashur shënoi një autogol të shëmtuar, për nga pesha i rëndë edhe për Top Channel. Ndoshta të gjithë mendojnë se mund të bëhen shumë thjeshtë një "Luiz" dhe në këtë mënyrë, ia hodhën jetës. Por, të jetosh brenda një ambienti të izoluar, i survejuar 24 orë nga kamerat, padyshim do të zbulosh karakterin e vërtetë.

Produksioni ose e thënë ndryshe, drejtuesit e "Top Channel" kishin punuar për muaj me radhë për të plotësuar "skuadrën" e tyre që do të fusnin brenda katër mureve. Emra të njohur, njerëz që dashur pa dashur janë bërë pjesë e jetës së përditshme të të gjithë shqiptarëve me profesionet e tyre. Klodi ishte njëri nga ata.

E nisi vrullshëm, ndoshta i joshur nga ngjyrat e shumëllojëta brenda shtëpisë më të famshme në Shqipëri. Shpesh përmendi terma futbolli, por harroi se tifozi përfshihet brenda 90 minutëshit dhe nuk mendon se kush je jashtë saj. Për të ka vlerë vetëm goli dhe asgjë tjetër. Ndërsa në këtë format, mund të shohë gjithëkush, edhe ata të paktë njerëz mesatarë që kanë mbetur pa emigruar, të cilësuar si truri i këtij vendi.

"Shumë portale kanë shkruar për mua, për jetën time. Por, unë nuk kam reaguar kurrë dhe nuk kam dashur t'i përgënjeshtroj. Hyrja ime këtu do të tregojë të vërtetën", deklaroi ai ndër të tjera me Top-Channel që reklamoi klipin të sunduar nga titujt që tregonin dhunën e tij ndaj ish bashkëshortës. Nxituan ta fusnin brenda, njëjtë siç e nxorrën dhe shumë mirë bënë.

Klodian Duro është dënuar në vitin 2020 nga Gjykata e Tiranës me 4 muaj burg për dhunë në familje. Produksioni i këtij formati televiziv me siguri kishte dijeni për të shkuarën e tij. Legjislacioni shqiptar parashikon që çdo subjekt i dënuar me vendim të formës së prerë konsiderohet i rehabilituar 2 vite pas shlyerjes së dënimit, për vepra penale që dënohen deri në 6 muaj burg. Ndërsa më shumë se 6 muaj, periudha e rehabilitimit është 5 vite. Vetëm pas kalimit të kësaj periudhe kohore, konsiderohesh i padënuar dhe ke integritetin e duhur për të qenë pjesë e institucioneve të rëndësishme, përveç rasteve të parashikuara ndryshe.

"Më keni ftuar për 3 vite me radhë", tha ndër të tjera Duro duke shigjetuar padashur Top-Channel-in. Pra, produksioni ka qenë gati për të punuar me një person të dënuar nga Gjykata e Tiranës për dhunë në familje. Ai në vitin 2021 (Kur startoi edicioni i parë i Big Brother VIP) nuk kishte kaluar periudhën e nevojshme për t'u konsideruar i rehabilituar. Gjithëkush mund të mendojë se çdo njeri ka të drejtë të punojë dhe jetojë, paçka se e shkuara ka qenë e errët. E drejtë, por jo në institucione të rëndësishme ku impakti te njerëzit është shumë i madh, ku çdo veprim apo fjalë peshohet.

Sot, u turrën ta nxirrnin me zarf të zi. Pse vallë u habitën në Top-Channel kur Klodian Duro përmendi dhunën? Për të ekziston një vendim gjykate për vepra të tilla. Ai e tregoi se është gati të rrahë sërish këdo, gra e burra. Megjithatë siç duket "produkti" u "shit" me sukses. Në mungesë të një fenomeni "Luiz", për audiencën duhet punuar me çdo kusht. Në një kohë kur çdo ditë shkruajmë për dhunën në familje, bëjmë "gjyqe" në facebook apo Instagram, na serviret në televizion kombëtar një person që me dy teke alkool bën gangsterin dhe tregon si ka rrahur gruan. Larg qoftë me tre, çdo të bënte... E pastaj çohemi në "këmbë" nga tastiera dhe bëjmë kronika, mbushim panelet, emisionet dhe bërtasim për rastet e ndjera si të Bedrie Lokës që u vetëflijua prej dhunës nga bashkëshorti.

Sondazh

Poll

Hapësire reklamuese