Gazetari Artan Hoxha ka reaguar pas shkrimeve të disa kolegëve të tij që hedhin dyshime mbi dosjen e Prokurorisë të publikuar prej tij disa ditë më parë.
Hoxha ndër të tjera u sugjeron kolegëve që të të mos nguten dhe ta marrin me qetësi shqyrtimin e dosjes.
“….një koleg i njohur shkruante sot se ishte i shqetësuar pasi edhe pse e kishte marrë në dorë dosjen e prokurorisë, nuk po e gjente dot atë gjysmën e fletës ku ndodhej transkripti i përgjimit të telefonatës së kryer me 22.06.2009 saktësisht 6 ditë para zgjedhjeve, mes një biznesmeni në hetim dhe një politikani të rëndësishëm…. pas tij këtë dyshim për vërtetësinë e përgjimit të prokurorisë e ngrinte në nivelin e “duhur”, e kush tjetër veç Lapsit…. Koleg, një sugjerim, mos u ngutni, merreni me qetësi e dashuri, se bën vaki që të mos u kenë dhënë “qëllimisht” dosjen e duhur, ose fare “qëllimisht” gjatë shfletimit me shpejtësi duhet ta keni kaluar pa dashje faqen e duhur”, shkruan ndër të tjera Hoxha.
Një ditë më parë Artan Hoxha deklaroi se nuk e kishte vënë në dijeni drejtuesin e emisionit “Opinion” për publikimin e dosjes, për arsye se nuk beson tek ai.