
Shqipëria vazhdon që të avancojë në sport, teksa së fundmi ka ardhur një tjetër bashkëpunim i rëndësishëm. Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar ka njoftuar ditën e sotme se është arritur marrëveshja për të bashkëpunuar me shtetin italian në Lëvizjen Olimpike.
Me ftesën e marrë nga Presidenti i KOKSH, Fidel Ylli, për herë të parë në histori, vendin tonë e ka vizituar Presidenti i Komitetit Olimpik Italian, Giovanni Malago. Të dy presidentët nënshkruan një memondarum bashkëpunimi, që konsiston në ofrimin e një ekspertize të nivelit të lartë nga Italia, ndihmë në kualifikimin e trajnerëve shqiptarë, ngritja e kampeve për sportistët, promovimi i lëvizjes olimpike, si edhe një suport cilësor në çështjet e mjekësisë sportive.
Delegacioni italian u prit gjithashtu edhe nga kryeministri Edi Rama, ministrja e Arsimit dhe Sportit, Orgeta Manastirliu si dhe zv.ministri i Sportit, Endrit Hoxha.