Njëjtë si dhe seancat e kaluara, kjo seancë e kësaj të enjte u shoqërua nga kaosi, mes zhurmueseve dhe tensioneve në sallë. Ndërkohë, që zv.kryetarja e Kuvendit, Ermonela Felaj, po drejtonte votimin e çështjeve në rend të ditës, kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment bardhi, e ka akuzuar atë se po kryen vepër penale.
Sipas deputetit në sallë nuk ka kuorum të mjaftueshëm dhe se mazhoranca po falsifikon votimin.
“Po falsifikon votimin! Ke 68 deputetë në sallë. Po kryen vepër penale. Po shkel Rregulloren, neni 55 pika 4. Po shkel Kushtetutën Nuk ua falim këtë”, dëgjohet të thotë ai.
Ndërsa, deputeti tjetër demokrat, Ervin Salianji, teksa kishte bllokuar foltoren e Kuvendit ironizoi ligjvënësit e PS-së, duke i thënë: Jeni dele, kokën poshtë, kartonin lart.
Tashmë janë bërë të përjavshme skenat ku deputetët e opozitës përplasen me Gardistët dhe më pas shkaktojnë kaos në Kuvend. Seancat vijojnë nën zhurmën e bilbilave tymuesve dhe zhurmuesve, ndërsa nga ana tjetër mazhoranca që ka shumicën e votove, në pak minuta miraton projektligjet dhe mbyll seancën. E kështu ndodhi edhe sot.
Nëkryetarja e Kuvendit, Ermonela Felaj bëri thirrje opozitës disa herë që të vijojnë seancën normalisht, mirëpo ata vijuan me skenarin e tyre, të cilin tashmë janë duke e ndjekur prej muajsh.
Disa nga deputetët demokratë mbanin në duar këtë të enjte pankartat ku lexohej: “Demokracia vendoset me zgjedhje”, “Nuk duam Parlament Monist”.
Pamje nga Kuvendi