Anija e bllokuar pas gjetjes së një ngarkese prej rreth 53 kilogram kokainë, ishte nisur nga Kanadaja dhe kishte ndaluar në një port të Kolumbisë, përpara se të mbërrinte në portin e Durrësit ku edhe u zbulua ngarkesa.
Anija është me origjinë ruse, dhe po ashtu kapiteni i saj, i cili u shpreh i revoltuar për dy kontrollet e policisë. “Erdhët dhe kontrolluat dje, por nuk gjetët asgjë. Nuk kam asnjë dijeni për pako kokaine në anijen time”, mësohet të ketë thënë kapiteni rus i anijes të ngarkuar me qymyr.
Në pyetje janë marrë edhe administratorët e kompanisë që kishte porositur qymyrin, por janë lënë të lirë për mungesë të provave. Është e paqartë nëse ka shqiptarë të përfshirë në këtë trafik, apo nëse është përfshirë vetë ekuipazhi i huaj i anijes ruse.
Anija “Unistream” po transportonte 6,500 ton qymyr, ndërsa kokaina u gjet e fshehur në dy çanta në mes të ngarkesës së qymyrit. Anija është në pronësi të një kompanie gjermane, “Unistream GMHB &CO KG”, e cila ka në total 27 anije.