Agjencia Amerikane e Antidrogës, DEA, i ka kërkuar të dhëna Prokurorisë Shqiptare për të gjithë rrjetin e dyshuar të grupit që përpunonte kokainën në laboratorin në Xibrakë të Elbasanit. Objektivi i DEA-s ka qenë Ilir Hyseni, pasi dyshohet se ai mund të ketë zhvilluar aktivitet të jashtëligjshëm edhe jashtë Shqipërisë. Deri tani rezulton që Ilir Hyseni ka qenë në kërkim ndërkombëtar nga Interpoli, por me një identitet tjetër për trafik kokaine në Kanada.
Ilir Hyseni, me identitetin e ndryshuar Bali Meta, është dënuar për falsifikim dokumentesh në Kanada, ndërkohë që në kërkim nga Interpoli është për prodhim dhe trafikim kokaine, armëmbajtje pa leje dhe prodhim pasaportash false.
Po kështu ekspertët amerikanë të antidrogës kanë ofruar ndihmën e tyre për gjetjen e origjinës së kokainës. Deri më tani dy vendet e dyshuara nga vjen ajo janë Bolivia ose Kuba.
Më 14 janar u finalizua nga policia shqiptare operacioni ‘’Xibraka’’. Në momentin e ndërhyrjes së policisë në laboratorin e kokainës në Elbasan u arrestuan 11 persona ndërkohë që pas verifikimeve 2 prej tyre, Fatmir Hoxha dhe Egest Dankësi u lanë të lirë pasi nuk kishin lidhje me trafikun.
Gjatë operacionit u sekuestruan 121 kilogramë drogë, ku rreth 100 kilogramë ishte kokainë e përzier, 18 kilogramë kokainë e pastër dhe 3 kilogramë kokainë e papërpunuar, si dhe 3 deri në 4 ton përzierës. Godina, në brendësi të së cilës ndodhej edhe laboratori i kokainës në Xibrakë ishte kamufluar si magazinë e bimëve mediciale.