Kodheli është takuar fillimit në Shkup me homolugun e saj Zoran Jolevski, me të cilin ka diskutuar për forcimin e marrëdhënieve mes dy shteteve si dhe për manovra të përbashkëta ushtarake
Një ditë pas kthimit të kreut të Kuvendit, Ilir Mata nga vizita në Maqedoni, drejt vendit fqinj ka udhëtuar sot ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli.
Kodheli është takuar fillimit në Shkup me homolugun e saj Zoran Jolevski, me të cilin ka diskutuar për forcimin e marrëdhënieve mes dy shteteve si dhe për manovra të përbashkëta ushtarake. Ministrja shqiptare ka shprehur edhe njëherë tjetër mbështjetjen e vendit tonë për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe tejkalimin e problemit të emrit me Greqinë.
“Shqipëria mbështet anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe uron që vendi ynë fqinjë shumë shpejt të bëhet anëtarë me të drejta të plota të saj. Urojmë gjithashtu që problemi i emrit të zgjidhet dhe të ketë një angazhim serioz dhe real nga ana e Maqedonisë për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, fakt ky i nënvizuar edhe në deklaratën e Samitit të Uellsit në shtator të vitit të kaluar. Besoj fortë se bashkëpunimi midis dy vendeve tona në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë, në rajon dhe më gjerë, do të vijojë me ritme gjithmonë dhe më intensive”, ka thënë Kodheli.
Nga ana e tij, ministri Jolevski është shprehur i kënaqur për mbështetjen që i jep Shqipëria anëtarësimit të Maqedonisë në NATO. Ai tha se vendi i ka plotësuar kushtet e nevojshme por mungesa e ftesës është bërë për shkaqe të njohura.
“Më vjen shumë mirë që ju, bashkë me Kroacinë, sot jeni anëtare të NATO-s dhe Maqedonia ka dy shtete mbështetëse të aspiratave tona. Siç e dini Maqedonia i ka plotësuar të gjitha kushtet për anëtarësim në NATO megjithatë për shkaqe të njohura, nuk e morëm ftesën. Ne do të vazhdojmë me aktivitetet tona dhe me prezantimin e argumenteve përse Maqedonia duhet të ftohet në aleancë. Vlerësojmë se zgjerimi i aleancës në Evropën juglindore, përfshi edhe Ballkanin, paraqet përforcim të stabilitetit dhe sigurisë në rajon”, tha Jolevski.
Ministrja Kodheli është takuar gjithashtu edhe me presidentin, Gjorge Ivanov dhe kryeministrin, Nikolla Gruevski, ndërkohë që pritet takimi edhe me kreun e Kuvendit, Trajko Veljanovski.