Kodheli: Gati traktati i partneritetit, ligji i luftës nuk zgjidhet për 3 ditë

Publikuar tek: politike, më 22:21 13-11-2017 Kodheli: Gati traktati i partneritetit, ligji i luftës nuk zgjidhet për 3 ditë

Kryetarja e Komisionit të Jashtëm parlamentar, Mimi Kodheli ka komentuar bisedimet Shqipëri-Greqi, të zhvilluara këtë fundjavë në Kretë mes ministrave të jashtëm Bushati e Kotzias.

E ftuar në emisionin “Passport” në TV SCAN, Kodheli vlerësoi dialogun, duke u shprehur se vjen në një moment kyç, ndërsa marrëdhëniet mes dy vendeve tashmë kanë pësuar një ndryshim pozitiv.

“Këtë herë besoj që kemi zhvillime shumë më tepër pozitive se bisedimet e të gjithë viteve të marra së bashku, sidomos e periudhës pas viteve ‘90”, tha Kodheli.

Deputetja e PS, e informuar nga bisedat me ministrin Bushati, zbuloi se tashmë është shumë pranë firmosja e një traktati partneriteti strategjik me vendin fqinj.

“Jam e bindur që dinamika do të na çojë drejt një traktati partneriteti strategjik, i nevojshëm për Shqipërinë aq sa edhe për Greqinë. Duhet të ecim në këtë rrugë duke shpresuar të heqim ligjin e luftës, por të heqim edhe probleme të tjera që na prekin, si kufiri detar. Probleme që sot duken si të pazgjidhshme, por në fakt nuk janë”, tha Kodheli.

Ish-ministrja e Mbrojtjes ka komentuar më gjerë mbi tematikën e ligjit të luftës, akt të cilin ajo e quajti të pamerituar nga Shqipëria dhe se nuk reflekton marrëdhëniet e sotme.

“Ligji i luftës nuk na ka penguar të emigrojmë, të kalojmë pushimet në fqinjin jugor, apo i ka penguar grekët të vijnë tek ne, por heqja e tij është një çlirim për këdo të interesuar në mbarëvajtjen e punëve mes dy shteteve. Është dhënia e një të drejte, pasi jemi një vend që historikisht nuk është thënë të kemi pushtuar njeri apo të kemi treguar agresiv ndaj fqinjëve tanë. Nuk e kemi merituar asnjëherë vendosjen e një ligji lufte”, tha Kodheli.

E pyetur nëse diçka e tillë mund të arrihet së shpejti, Kodheli u shpreh se kjo është një problematikë e nxehtë, e cila merr burim ndër vite.

“Është e pamundur që problematika të ardhura nga thellësia e viteve dhe dekadave të mund të zgjidhen nga një vizitë 3-ditore”, shtoi Kodheli.

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Rama vazhdon “luftën me kazanin”, këtë herë kapet për çmimin e energjisë elektrike
Çfarë ka ndodhur me marrëveshjen e 18 majit, Balla zbulon se cili është komunikimi mes PD dhe PS »
Article Logic
Execution time: 0.012484073638916
array(1) { ["section"]=> string(82) "kodheli-gati-traktati-i-partneritetit-ligji-i-luftes-nuk-zgjidhet-per-3-dite-99448" }