Ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu ndodhet pasditen e kësaj të hëne në ambientet e Qendrës Spitalore Universitare "Nënë Tereza", ku mësohet se po prezanton drejtuesen e re të këtij institucioni. Siç kemi raportuar më herët, drejtuesja e re do të jetë Alma Cani.
Aktualisht, ajo është nëndrejtoreshë e Spitalit Universitar "Shefqet Ndroqi" dhe njëkohësisht shefe e Shërbimit të Anestezisë dhe Reanimacionit në këtë institucion. Falë punës dhe profesionalizmit të saj. Alma Cani tashmë do të drejtojë QSUT.
E pyetur nga gazetarët në nisje të takimit në ambientet e qendrës spitalore "Nënë Tereza", ministrja Albana Koçiu ka mohuar aludimet se Albana Fico është shkarkuar sot për shkak të zjarrit që përfshiu Urgjencën e re Kombëtare.
“Lirimi i Albana Ficos nga detyra nuk ka lidhje me urgjencën. Sjellim energji të reja për projektet në vazhdim”, u shpreh ministrja e Shëndetësisë.
Ajo theksoi se drejtuesja e re e Qendrës Spitalore Universitare "Nënë Tereza", Alma Cani do të ketë si detyrë të parë të punës së saj vënien në funksion të plotë të Urgjencës së Sëmundjeve të Brendshme, e cila është jashtë funksionit pas një zjarri që ra në katin e serverave, që solli më pas dhe transferimin e të sëmurëve në spitale alternative.
“Drejtorja e re e QSUT në rend të parë do të ketë vënien në funksion të plotë të urgjencës së sëmundjeve të brendshme”, vijoi Albana Koçiu, ministre e Shëndetësisë.
Prej datës 11 shkurt, urgjenca e sëmundjeve të brendshme në QSUT, vijon të jetë pjesërisht jashtë funksionit për shkak të zjarrit që ra në dhomën ku dhe ndodheshin serverat, në katin minus një të godinës së re. Deri më tani shkaqet e rënies së zjarrit janë të panjohura, ndërkohë Prokuroria e Tiranës është duke hetuar lidhur me këtë ngjarje.