
Zabi Çuku, ish-ushtaraku i cili mbikqyrte procesin e demontimit të armëve në Gërdec, këtë të premte ka dhënë dëshminë e tij në GJKKO. Ish-ushtaraku ka treguar se në fabrikë kishte punuar për gati një muaj si specialist demontimi, mirëpo nuk kishte nënshkruar asnjë kontratë punte.
Lidhur me ditën e ngjarjes, 15 mars 2008, Çuku tregoi se në momentin e shpërthimit kishte dëgjuarin zërin e një gruaje e cila po bërtiste me të madhe “mori flakë”, ndërkohë 20-30 metra larg kishte parë tym të bardhë, që e kishte njohur si tym baruti.
“I kërkova punëtorëve të iknin shpejt. U larguam për rreth 350 metra. Nga shpërthimi i dytë më ra një copë predhe në kokë, si edhe kam thyer këmbën”, tha ai, teksa më tej theksoi se pas ngjarjes kishte dëgjuar se ishte shkaktuar nga ndezja e barutit në karrocën e sapo salduar.
“Çdo ditë baruti grumbullohej në sheshin e madh. Pas kësaj kësaj faze largohej menjëherë. Atë dite u grumbullua shumë në sasi të madhe. U bë shumë. Dhe nuk u largua. Ai ishte gabimi i asaj ditë”, tha ai.
Kujtojmë që shpërthimi në Gërdec ndodhi më 15 mars (e shtunë) 2008, rreth orës 12:05 dhe nga shpërthimi humbën jetën të paktën 26 persona. Ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu, dha dorëheqjen pak ditë mbas tragjedisë.
Ai nuk pranoi se kishte përgjegjësi për shpërthimin ose ndonjë lidhje korruptive në tregtinë e armëve dhe u shpreh se dorëheqja nga posti ministror ishte një “…përgjegjësi morale.”
GJKKO më herët pranoi kërkesën e SPAK për të marrë në pyetje 71 dëshmitarë në gjyqin ndaj Fatmir Mediut, pavarësisht se mbrojtja e ish-ministrit kërkoi 90 dëshmitarë, ku përfshiheshin dhe personalitete të huaja. Më 18 shator të këtij viti dhanë dëshminë e tyre njëmbëdhjetë dëshmitarët e parë, të cilët treguan se si ishin punësuar dhe përshkruan ngjarjen tragjike.
Mediu akuzohet për dy akuza të lidhura me “Shpërdorimin e detyrës” kryer në bashkëpunim. Vepra e parë penale për të cilën ish-ministri i Mbrojtjes akuzohet, është ajo “Shpërdorimi i detyrës”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 248 dhe 25 të Kodit Penal, si dhe për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim i detyrës” në bashkëpunim me subjekt ushtarak-kuadër komandues, parashikuar në nenet 70/2 e 2 të Kodit Penal Ushtarak dhe neni 25 i Kodit Penal.