Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

OpEd

Kisha nuk është me ditët e saj më të mira…

Shkruar nga Newsbomb
Kisha nuk është me ditët e saj më të mira…

Nga Dom Gjergj Meta

Kisha katolike nuk është në kohën e vet më të mirë e kjo për shumë arsye që nuk po i rradhis këtu e që shumëkush i di.

Po ashtu, kishat orthodokse janë në zgrip të një skizme tjetër mes njëra-tjetrës.

Jo më mirë janë përcaktimet e tjera të krishtera në shumë aspekte, sidomos në përballjen me shekullarizmin.

E gjitha kjo është Kisha e Krishtit, pavarësisht “copave” me të cilat paraqitet në sytë e botës.

Ne, bijtë e saj jo gjithmonë jemi sjellë si duhet, jo gjithmonë me jetën tonë kemi pasqyruar dritën që vjen nga Fjala e amshuar e Atit. Madje, e kemi penguar këtë dritë me mëkatin tonë, herë individual e herë strukturor. Ndarja e të krishterëve në katolikë, orthodoksë, ungjillorë, anglikanë e luteranë, është edhe mëkati ynë më i madh.

Por, e gjitha kjo nuk e ka zbehur asnjëherë bukurinë e saj, pikërisht sepse Kisha nuk është e jona. Kisha është e Tij, është e Krishtit, dhe Ai i jep asaj shkëlqim, i jep jetë. Kisha është si hëna, e cila merr dritën nga dielli dhe e pasqyron mbi tokë, pavarësisht pjesëve të saj të errëta.

Edhe kur ndonjë rrënjë apo degë e saj thahet diku, Hyji diku tjetër bën të mbijnë filiza të rinj. Edhe kur ajo përfshihet nga terri, Hyji diku tjetër ndez zjarrin e dashurisë që e ngroh dhe e ndriçon atë. Kështu ka ndodhur përgjatë tërë historisë së saj e kështu ndodh edhe sot. Ashtu sikurse fara që shpërthen në heshtje dhe pa e parë kush, ashtu Kisha ripërtërihet duke u ngritur nga hini i mëkatit të saj apo nga shkatërrimi që i vjen nga përndjekjet për shkak të emrit të Krishtit.

Mund të them pa asnjë dyshim se pikërisht për shkak të historisë së saj, pikërisht për faktin se ajo është e përqafuar nga krahët e Tij hyjnor, ajo vazhdon të mbetet ende një zë i fuqishëm për njeriun e sotshëm e që na kujton dimensionin tonë të përtejmë.

Ndërkohë që ajo kërkon falje për mëkatet e veta, për tradhëtitë e saj përgjatë historisë, e përtërirë nga dashuria e Hyjit, ajo nuk rresht së qëni zëri i të pazëve, streha e të pambrojturve, jehona e butësisë dhe dashurisë së Hyjit për njeriun e çdo kohe. Ajo nuk rresht së qëni nënë për çdo të pagëzuar dhe nuse e dhëndërit të saj hyjnor.

Papa Françesku, bashkë me shumë bijë e bija të Kishës, kudo nëpër botë, po japin dëshminë e një kishe që jeton fjalën e Mësuesit dhe Zotërisë së saj: “Shpirti i Zotit është mbi mua, sepse Ai më shuguroi! Ai më dërgoi t’u kumtoj të vobektëve Ungjillin, t’u shpall robërve çlirimin, të verbërve dritën e syve; t’i lëshoj në liri të ndrydhurit, të shpall vitin e hirit të Zotit”.

Sondazh

Poll