Hapësire reklamuese

Kulture & Art

Kineasti Eol Çashku emërohet në krye të Qendrës Kombëtare të Kinematografisë

Shkruar nga Newsbomb
Kineasti Eol Çashku emërohet në krye të Qendrës

Kineasti Eol Çashku është emëruar nga Këshilli i Ministrave në postin e kryetarit të ri të Qendrës Kombëtare të Kinematografisë. Kandidatura e tij është propozim i kreut të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja.

Eol Çashku vjen nga një eksperiencë e konsiderueshme produksionesh kinematografike kombëtare dhe ndërkombëtare si dhe nga angazhimi në arsimin e lartë universitar, pas kthimit nga studimet e larta dhe eksperiencat kinematografike në Francë.

Përvoja profesionale 25 vjeçare e ka renditur emrin e tij në projekte franceze, belge, holandeze, izraelite e amerikane. Në cilësinë e drejtorit të produksioneve të Akademisë së Filmit dhe Multimedias Marubi, Eoli ka kontribuar në edukimin e qindra profesionistëve të rinj të filmit dhe medias nga Shqipëria dhe rajoni duke organizuar produksionin e më shumë se 300 filmave studentorë me metrazh të shkurtër.

Spikat gjithashtu dhe bashkëpunimi me organizata ndërkombëtare si OSBE, CIES, Delegacioni i BE, si dhe struktura të filmit të Gjermanisë, Italisë, Francës, Kanadasë, Izraelit dhe SHBA-ve.

Platforma e tij për menaxhimin e Qendrës Kombëtare të Kinematografisë analizon problematikat e deritanishme, duke ofruar zgjidhje konkrete, mirë-administrim e energji të re drejtuese, vizion vetëfinancues e gjenerues të ardhurash për sektorin, ku thekson edhe bashkëpunimin me ekspertët francezë nga Centre National du Cinéma (CNC), në kuadër të reformës së nevojshme rregullatore mbi kinematografinë dhe shkëmbimit të eksperiencave.

Eol Çashku parashikon përmes platformës së tij, përfshirjen e kineastëve në ristrukturimin kapilar të sistemit kinematografik shqiptar ku kapacitetet, dijet dhe eksperiencat e akumuluara duhen bashkërenduar në funksion të interesit publik.

"Besimplotë për aftësitë dhe përvojën profesionale të drejtuesit të ri të kinematografisë shqiptare, siguroj mbështetjen e plotë të MEKI dhe të qeverisë shqiptare për zhvillimin e qëndrueshëm të këtij sektori tepër të rëndësishëm për industrinë e ekonominë kreative, përveçse për kulturën tonë kombëtare", shkruan ministri Blendi Gonxhja.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese