Nga Edi Oga, ekskluzivisht për Newsbomb.al
Një javë që nis me lajmin “digjet raundi i parë i votimit për Presidentin”, nuk premton asgjë të mirë. Një javë që fillon me “djegie” të cilat duket se do të vazhdojnë edhe në javët e ardhshme, për të mbërritur deri në “përvëlim”.
Me sa duket, ky vend është i destinuar të digjet përfundimisht!
Nuk do ta djegë as dielli, as zjarret që djegin Kaliforninë apo Australinë, as zjarri i hasmit, por do ta djegin ata që ne i zgjedhim dhe i paguajmë për të kundërtën.
Shqipërinë e dogjëm literalisht në fund të shekullit të kaluar, por tani po e djegim në të gjitha kuptimet e këqija metaforike që mbart kjo fjalë.
Shqipërinë po e djegin politikanët; edhe pushtetarët, edhe opozitarët.
Shqipërinë po e djegin ata që kanë ndërtuar inceneratorë kinse për të djegur mbetjet, por që në realitet djegin paratë e shqiptarëve si të ishin kashtë e thatë.
Shqipërinë po e djegin ata që djegin mandatet në parlament si të ishin duke djegur një biletë për një film në kinema. Politikanë të pafytyrë të cilët pasi dogjën mandatet dhe nuk arritën asgjë nga ky akt, kërkuan përsëri mandate të tjera, të cilat i trafikuan sipas oreksit të tyre të pangijshëm.
Shqipërinë po e djegin politikanët që dogjën opozitën.
Shqipërinë po e djegin pushtetarët që shkrinë çdo të mirë publike duke ia dhuruar partnerëve të tyre privatë në biznes.
Shqipërinë po e djegin pushtetarët, të cilët “dogjën” çdo mundësi që vendi të integrohet në kohën dhe në mënyrën e duhur në Bashkimin Evropian.
Shqipërisë po i djegin shpresën. Edhe atë që vdes e fundit.
Dhe në këtë tokë të djegur, nëse nuk je nga ana e atyre që vënë zjarrin, në mos sot nesër, flakët do të të përpijnë e dhe ty, edhe mua. Jo ato flakët e vogla, me të cilat u rritëm dhe u mësuam të na duken normale. Ato flakë që u detyruam t’i “fikim” me durimin tonë, me djersën dhe gjakun tonë, me shpresën se një ditë do të biem dakord që të punojmë bashkarisht për të fikur zjarret e vogla!
Në mos e djegshin, këtë vend e shkretuan! Miliona janë larguar dhe të të tjerë po e shohin si alternativën e vetme!
E dogjën që u djegshin!