Kryeministri Edi Rama bëri publik dy javë më parë rezultatet e procesit të Këshillimit Kombëtar. Ishin 12 pyetje që përmes një formulari ju dërguan qytetarëve me postë në shtëpi. Pas plotësimit, ai u kthye mbrapsht po me postë, falas.
Për disa çështje të rëndësishme, Edi Rama u shpreh se do të vlerësohej mendimi i qytetarëve dhe qeveria do të ndërmerrte hapa konkretë, shkruan newsbomb.al. Kështu për shembull, Rama tha se do të veprohet me përdorimin e kanabisit për qëllime mjekësore meqë qytetarët në shumicë e kishin kërkuar këtë.
Edhe për procesin e integrimit, kryeministri bëri me dije se nga procesi i konsultimit publik ku kishin marrë pjesë më shumë se 500 mijë shqiptarë, shumica ishin shprehur “pro” ndarjes së Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut. Ngërçi ku kjo e fundit ndodhet me Bullgarinë dhe që po bllokon dhe integrimin e vendit tonë, ka bërë që Qeveria të mendojë ndarjen e nga Shkupi.
Por, ky proces konsultimi publik që kryeministri e prezantoi si risi, në fakt është një ide e kopjuar, shkruan newsbomb.al. Në verën e vitit 2021, Qeveria e Hungarisë u ka dërguar vendasve një formular me pyetje për të marrë mendimin e tyre për disa çështje. Dhe në Hungari, ky proces është quajtur Këshillim Kombëtar.

“Qeveria do të vendosë për hapat e saj të ardhshëm bazuar në rezultatet e sondazhit”, kështu u shpreh zyrtarët hungarezë për rezultate e sondazhit. Sekretari i Shtetit Csaba Dömötör, në një deklaratë zyrtare në gusht 2021, ka konfirmuar se 1,191,000 njerëz e kishin plotësuar sondazhin e Këshillimit Kombëtar.
Dhe atje njëjtë si në Shqipëri, shumica e qytetarëve i kanë kthyer pyetësorët me postë deri në afatin e fundit, 25 gusht.
Sondazhi u nis në fillim të korrikut për të vlerësuar opinionet e njerëzve për një sërë çështjesh, duke përfshirë migrimin, rimbursimet e taksave për familjet, luftën kundër pandemisë, mbrojtjen kushtetuese të subvencioneve familjare, ligjin e fundit për mbrojtjen e fëmijëve dhe prodhimin e vaksinave në Hungari.