Pas vendimit të këshillit të qarkut të Kukësit për t’i hequr titullin “Nderi i Kukësit” publicistit dhe politikanit Kosovar, ka reaguar edhe kryeministri Rama.
Ai është distancuar nga ky veprim i këshillit të Kukësit, duke u shprehur se kjo është një lajthitje kolektive, por uron që Prefekti ta refuzojë.
Rama shprehet se parlamenti duhet të ndërhyjë për ta zgjidhur njëherë e mirë çështjen e titujve dhe medaljeve.
“Vendimi i Këshillit të Qarkut të Kukësit për heqjen e titullit "Qytetar Nderi" Veton Surroit është një lajthitje kolektive që uroj Prefekti do ta refuzojë! Ndërkohë parlamenti duhet të ndërhyjë për ta normuar njëherë e mirë çështjen e titujve e të medaljeve.
Ky vend s'mund të jetë një planet më vete brenda botës që e ka sistemuar me kohë e me vakt këtë punë, ku s'ka president që jep medalje për heronjtë e luftrave të shkuara se kështu i thotë koka dhe s'ka këshill që ia heq titullin dikujt me kërkesë të disave! Boll me këtë absurd”, shkruan Rama.