Hapësire reklamuese

OpEd

Kërkoni falje Besmir Qebinit

Shkruar nga Newsbomb

Nga Bledi Mane

Në fillim bënit të gjithë si prepotentë e si arogantë. Karshillëk dhe sfidim. Rrëmbenit telefonin dhe thërrisnit Tahirin, Ramën, Metën, deputetin, mikun, ministrin. Nuk tregoheshit të sinqertë se ju, pikërisht ju ishit fajtori por si kurva jargaviteshit duke u justifikuar. Semafor jeshil, me rrip, semafor portokalli, pa rrip, sinjalet ndezur, semafor i kuq, hapje krahu, vija të bardha, vija të zeza...

Në Tiranën e 2014-ës e më pas të gjithë ju shoferë me dhe pa pushtet u vutë të gjithë në rradhë dhe respektonit ligjin. Gjobat vërshuan shumë si lumë për gazetarë e parlamentar, miss-e dhe pise, qeveritarë e taksidare, hallexhinj e zengjin. Shteti po tregonte dhëmbët e kafshimit legal dhe ju të gjithë si ilegalë pranonit në heshtje fajin. Ish shefi i qarkullimit rrugor të Tiranës Besmir Qebini u dha të gjithëve mësimin e jetës. Shumë nga ju bërtisnit si malukatë dhe i kërkonit Rilindjes, Partisë dhe Qeverisë ta zhdukte nga puna plangprishesin e shkeljeve tuaja. E shatë, e mallkuat, e anatemuat, e dërmuat, e katapultuat pa shkak e plot frikë.

Dhe statistikat i keni aty sesi u minimizuan aksidentet, rrumpalla dhe vdekjet. Rrugët e kryeqytetit zbardhnin nga disiplina e nuk skuqeshin nga gjaku...

Vetëm këto tre ditët e fundit të këtij fundkorriku kur njërzia supozohet se duhet të pushojë në bregdet apo mal po ndodh e pandodhshmja. Ne nuk po ikim drejt plazhit por drejt varrezave, nuk po ikim drejt dallgës së detit por po ikim drejt spitalit,ne nuk lagemi nga uji i kripur i Mesdheut por po shpëlahemi nga hidhërima e gjakut të të pafajshmëve.

O shqiptar shofer,pasagjer,kamarjer,inxhinier,brigadier,menaxher,refugjat e malukat. Vozite si rrob Zoti atë makinë dhe mos lëndo veten dhe të tjerë. Nuk është koha të vdesësh kur ikën për t’u argëtuar dhe jepi vlerë jetës tënde e të këmbësorit. Boll e katranoset këtë vendin tonë me mynxyra e me pasqyra vdekjesh.

Ndaj Sajmir Tahir bën mirë që kudo nëpër Shqipëri të përcjellësh punën dhe perkushtimin e Besmir Qebinit pa droje e pa frikë. Lartëso e lato modelin e kryepolicit të përkushtuar e le të të shajnë 300 shoferë por do shpëtosh jetët e 300 mijë qytetarëve!

Shënim i rëndësishëm/

Unë autori i këtij shkrimi nuk kam as patentë e as makinë. E vetmja makinë në pronësinë time është një e zezë e markës Braun. Rruan leshin lart e poshtë duke respektuar mbikalime apo kthesa të rrezikshme.

Sondazh

Poll

Sondazh

Poll