Ish-kryebashkiaku i Bulqizës, Lefter Alla kërkon që të dalë nga burgu. Përmes avokatit të tij, Alla shpesh herë ka kërkuar nga togat e zeza masë më të butë sigurie, pasi vuan nga zemra.
Ditën e sotme dy ekspertë mjeko-ligjor kanë paraqitur në GJKKO raportin mjekësor, ku tregon se Lefter Alla ka probleme me zemrën.
Eskpertët kanë thënë para togave të zeza se qëndrimi në qeli nuk është i përshtatshëm për gjendjen e Allës pasi ka problem shëndetësore me zemrën. Pritet që më 12 qershor Alla të dalë para Gjykatës për t’u njohur me vendimin e gjykatë për këtë çështje.
Kujtojmë që Lefter Alla akuzohet nga SPAK se ka shpërdoruar detyrën dhe ka abuzuar me tenderat në Bashkinë që drejtonte.
Nga hetimi ka rezultuar se Lefter Alla, në bashkëpunim me nënkryetaren e Bashkisë dhe punonjësit e tjerë, si specialiste të prokurorimeve, anëtarët e KVO, kanë favorizuar kompanitë “Egland Sh.p.k” dhe “BE-IS” Sh.p.k për marrjen e një tenderi me vlerë 322.439.000 lekë të reja, për ndërtimin e ujësjellësit të rrjetit të KUZ, Lagja e vjetër, qyteti Bulqizë.
Funksionarët e Bashkisë kanë krijuar avantazhe për dy subjektet e mësipërme gjatë procedurës së prokurimit. Në të njëjtë kohë nga hetimi i SPAK ka dyshime të arsyeshme të bazuara, se punimet janë kryer nga OE 2AF Albania shpk, lidhje shoqërore e kryetarit të Bashkisë.
Pra, Lefter Alla dhe vartësit e tij favorizuan kompanitë “Egland Sh.p.k” dhe “BE-IS” Sh.p.k që të fitonin tenderin miliona lekë, dhe punimet në fund i kreu kompania 2AF Albania shpk, lidhje shoqërore e kryetarit të Bashkisë.